Pollo prezanton "Shqipërinë në epokën dixhitale"
Gjatë këtij takimi, Ministri Pollo deklaroi së është bërë një përparim i mirë në procesin e miratimit të legjislacionit të shoqërisë së informacionit, në përputhje me standardet e BE. Sipas tij, është bërë përparim në miratimin e ligjeve Për Komunikimet Elektronike; Për Nënshkrimin Elektronike, e së shpejti në ligjin për dokumentin elektronik; ligjin Për Tregtinë Elektronike; Për Mbrojtjen e Të Dhënave Elektronike dhe legjislacioni për Cyber krimin e së shpejti për databazat. Vitin e kaluar, u miratua nga Qeveria një strategji e re për shoqërinë e informacionit. Si dhe ajo për "Shkencën, Teknologjinë, dhe Inovacionin". Ndërkaq, janë themeluar prej tre vjetësh Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), dhe së fundmi Agjencia për Kërkim, Teknologji dhe Inovacion (AKTI), si dhe institucioni i Ministrit të Shtetit si përgjegjës për TIK dhe Komunikimet Elektronike dhe Postare. Shkollat publike janë të pajisura në 4 vitet e fundit me laboratorë kompjuterikë, të lidhur me Internet broadband dhe janë hartuar e përshtatur kurrikulat për TIK dhe përmes mediumit të TIK, ndërsa Regjistri Kombëtar civil është dixhitalizuar. Sistemit i prokurimit elektronik është zbatuar që nga fundi i vitit 2007 dhe aktualisht të gjitha prokurimet publike realizohen në mënyrë elektronike. Shërbimi i Taksës elektronike është ofruar në vend që nga viti 2008; Deklarata doganore bëhet në mënyrë elektronike dhe Pasaportat e para biometrike janë lëshuar në fillim të vitit të kaluar. Regjistrimi i bizneseve bëhet me "one stop shop", që prej vitit 2007 në Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe së fundmi në Qendrën Kombëtare të Licencimit për marrjen e licencave. Gjithashtu, Pollo bëri të ditur se po zbatohet një projekt për të ngritur pika aksesi për publikun në të gjitha Zyrat e Postës Shqiptare. Por zhvillimi i shoqërisë së informacionit dhe zbatimi i qeverisjes elektronike është një proces i gjatë dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Ne po punojmë shumë për të arritur qëllimet dhe për të përmbushur ambiciet tona drejt integrimit në BE. Pollo ka rikujtuar se jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan normat e përdorimit të TIK dhe të Broadbandit janë krahasimisht më të ulëta se mesatarja e BE dhe se çdo vend po përpiqet të zhvillojë këtë sektor me hapa eksponenciale ashtu siç evoluon edhe kjo teknologji. Vetëm para dy ditësh, Komisioni Federal i Komunikimeve në ShBA propozoi objektiva si 90% penetrim broadband dhe lidhje të banesave me 100 Mbs, duke theksuar se interneti po zëvendëson si medium telefoninë dhe televizionin tradicional. Qeveria shqiptare inicioi programin "Shqipëria dixhitale" si pjesë e programit të saj për periudhën 2009-2013. Iniciativa "Shqipëria dixhitale" nuk ka në thelb të saj përdorimin e kompjuterit, sistemet e bazave të të dhënave në internet dhe web faqet- edhe pse të gjitha këto janë të rëndësishme. Por ka të bëjë me përdorimin e tyre për të nxitur qeverisje efektive dhe politika demokratike, të gjithëpërfshirjes.
Last Updated on E Merkure, 17 Mars 2010 22:53