Petrolifera monopol në tregun e gazit, Autoriteti i Konkurrencës përgatit gjobën
Autoriteti i konkurrencës gjen me shkelje Petroliferën dhe ka vendosur të ndërhyjë menjëherë në tregun e gazit të lëngshëm. Drejtuesja e tij, Lindita Lati në një konferencën për shtyp i ka bërë thirrje Petroliferës që të zbatojë rregullat ose do të përballet me gjobë. Komisioni i Konkurrencës në mbledhjen e tij të fundit ka shqyrtuar gjendjen e krijuar
në tregun e ngarkimit-shkarkimit dhe depozitimit të gazit të lëngshëm të naftës ku konstatoi një sërë shkeljesh. Lati bëri të ditur se komisioni vendosi marrjen e këtyre masave të përkohshme. Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar gjithashtu se pas konstatimit paraprak të shkeljes së konkurrencës do të vazhdojë më tej hetimet për të përcaktuar nëse ka kufizime të konkurrencës në tregun e ngarkim - shkarkimit dhe depozitimit të Gazit të Lëngshëm.
Shkelja
Hetimet e kryera nga Autoriteti i Konkurrencës kanë zbardhur se porti Vlora-1 i është dhënë me koncesion nga shteti ndërmarrjes La Petrolifera Italo Rumena SPA , për ndërtimin dhe shfrytëzimin e terminalit bregdetar, për depozitimin e naftës dhe të nënprodukteve të saj në gjirin e Vlorës si dhe për shfrytëzimin e infrastrukturës portuale në shërbim të terminalit bregdetar. Mësohet se ky terminal sipas marrëveshjes do të funksionojë si një terminal shërbimesh të pavarura, i hapur për të gjithë operatorët e kualifikuar, veçanërisht në industrinë e naftës dhe koncesionarit nuk i lejohet të ushtrojë veprimtari tregtare për naftë, gaz dhe nënproduktet e tyre. Këto të drejta i janë dhënë këtij koncesionari në mënyrë ekskluzive. Ndërkohë që tregu i shërbimit të ngarkim shkarkimit dhe depozitimit të hidrokarbureve, megjithëse funksionon si një treg i liberalizuar për sa i përket aktivitetit të import/eksportit në rrugë detare të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, kjo veprimtari realizohet vetëm nëpërmjet dy porteve të naftës në zonën e ish Uzinës së Sodës PVC në Gjirin e Vlorës dhe në zonën e Porto Romanos, Durrës, porte të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë mbi bazën e marrëveshjeve të koncesionit përkatësisht me ndërmarrjet LA PETROLIFERA ITALO ALBANESE SHA dhe Porto Romano SHA, duke pasur të drejtën ekskluzive për këtë lloj shërbimi.
Detyrimi
Detyrimin e menjëhershëm dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i vendimit të ndërmarrjes LA PETROLIFERA ITALO- ALBANESE SHA, për të mundësuar ankorimin, shkarkimin, trajtimin dhe depozitimin e gazit të lëngshëm për çdo operator të licencuar kombëtar ose ndërkombëtar të interesuar të operojë në këtë terminal- tha drejtoresha . Njoftimin pranë Autoritetit të Konkurrencës për përjashtim nga ndalimi me vendim të Komisionit të Konkurrencës të të gjitha marrëveshjeve të ekskluzivitetit të koncensionarit LA PETROLIFERA ITALO ALBANESE në bazë të neneve 6 dhe 49 të ligjit nr. 9121 Për mbrojtjen e konkurrencës. Sipas saj mos-zbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të rëndë të konkurrencës dhe ndëshkohet me gjobë 2-10 % të xhiros vjetore.
Marrëveshja
Në bazë të marrëveshjes koncesionare, janë ndërtuar 2 sfera për depozitimin e gazit me kapacitet 2 450 m3 secila, por qe përdoren deri në 2 000 m3 për arsye sigurie. Të dyja këto depozita sferike i janë dhënë për shfrytëzim kompanisë KALAJA SHA (ndërmarrje që ushtron veprimtari importi dhe tregtimi të GNL-së). Sipas ligjit depozitat dhe rrjeti i tubacioneve që formojnë sistemin e ngarkim shkarkimit dhe depozitimit përbëjnë një infrastrukturë të domosdoshme për veprimtarinë e ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të gazit të lëngshëm. Autoriteti i Konkurrencës ka zbuluar nga inspektimet e kryera dhe dokumentet e administruara rezulton se ndërmarrja KALAJA SHA është e vetmja ndërmarrje e cila ka të drejtën të shkarkojë dhe të depozitojë produktet e saj në depozitat në pronësi të LA PETROLIFERA ITALO ALBANESE SHA.
Masat
1. Detyrimin e menjëhershëm dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i vendimit të ndërmarrjes LA PETROLIFERA ITALO ALBANESE SHA, për të mundësuar ankorimin, shkarkimin, trajtimin dhe depozitimin e GLN-së, për çdo operator të licencuar kombëtar ose ndërkombëtar të interesuar të operojë në këtë terminal.
2. Njoftimin pranë Autoritetit të Konkurrencës për përjashtim nga ndalimi me vendim të Komisionit të Konkurrencës të të gjitha marrëveshjeve të eksluzivitetit të koncensionarit LA PETROLIFERA ITALO ALBANESE në bazë të neneve 6 dhe 49 të ligjit nr. 9121 Për mbrojtjen e konkurrencës,.
Mos-zbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të rëndë të konkurrencës dhe ndëshkohet me gjobë 2-10 % të xhiros vjetore.
Ornela Manjani