Bie interesi i Bonove të Thesarit
Bonot e Thesarit kanë shënuar një tjetër rënie të ndjeshme të normës së interesit. Në ankandin e zhvilluar ditën e martë, bonot me afat maturimi 12 mujor u emetuan me normë mesatare të ponderuar prej 8.56%, nga 8.73% që ishte i njëjti tregues në ankandin e mëparshëm. Mësohet se norma e interesit e Bonove të Thesarit vazhdon të ulët që
nga fillimi i muajit nëntor, menjëherë pas vendimit të Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit. Në pesë muajt e fundit, interesi i bonove me maturim 12 mujor ka rënë gjithsej me 0.9%. Në rënie paraqitet edhe norma e interesit të Bonove me maturim 6 mujor, që në ankandin e të martës ra në 7.39%, nga 7.41% që ishte në ankandin paraardhës. Rënia e normës së interesit të Bonove të Thesarit ka një ndikim të drejtpërdrejtë në tregun bankar, sepse shërben si normë referuese për kuotimin e interesave të kredive, por edhe të depozitave.