Poloni, Kuvendi miraton për rritjen e moshës së pensionimit

Dhoma e Ulët e Kuvendit të Polonisë ka miratuar nismën e qeverisë për të rritur moshën e pensionomit në 67 vjeç edhe për burrat, edhe për gratë.
Aktualisht, mosha e pensionimit në Poloni është 60 vjeç për gratë dhe 65 për burrat.
Kabineti i kryeministrit Donald Tusk ka propozuar masën, duke thënë se ajo do t`iu japë pensionistëve më shumë kohë për të siguruar pensione më të mëdha, por edhe do të reduktojë shpenzimet e shtetit.
Sindikatat kanë shprehur kundërshtime të fuqishme për masën.
Për t`u shndërruar në ligj, ajo duhet të miratohet edhe nga Senati, si dhe të nënshkruhet nga presidenti Bronisllav Komorovski.