Poloni denimet e para per huliganet

Gjykata e Varshavës ka dhënë dënimet e para për incidentet e së martës në rrugët e kryeqytetit polak, ku u regjistruan përplasje përpara dhe pas ndeshjes Poloni-Rusi, mes tifozëve të të dyja skuadrave, por edhe konfrontime me policinë.
Ndëshkimet e para janë dhënë për tetë prej atyre që cilësohen huliganë të futbollit dhe ashtu si kërkuan autoritetet e Varshavës por edhe qeveritarët polakë, masat ishin mjaft të ashpra. Dy prej të ndaluarve u dënuan me 5 vjet e tre muaj izolim dhe u transferuan menjëherë në burg.
Ndërkohë, masat e tjera arrinin deri në 12 muaj, megjithatë ishin me kusht. Me fjalë të tjera, dënimi do të hyjë në fuqi vetëm nëse këta tifozë do të përfshihen sërish në episode dhune. Të gjithë ata që u paraqitën përpara gjykatës, duhet të paguajnë edhe një gjobë me vlerë rreth 125 euro.
Në një tjetër gjykatë të Varshavës, në lagjen Pragë, janë dorëzuar materialet për disa të ndaluar të tjerë, mes të cilëve katër qytetarë rusë dhe pritet përkthimi i akteve për të marrë vendime. Sipas mediave, policia ka vazhduar gjatë gjithë ditës të dorëzojë dosjet hetimore, numri i të cilave vetëm gjatë së enjtes ka arritur në 76.
Gjykatat pritet të shqyrtojnë nga 90 deri në 120 çështje për incidentet ndërmjet tifozëve, ku disa akuzohet për dhunë, rezistencë ndaj forcave të policisë, por edhe grumbullime të paligjshme. Në total, policia kishte ndaluar 184 persona, 156 nga të cilët ishin polakë, ndërsa pjesa më e madhe e të tjerëve rusë.