Poloni, grabitje ne Aushvitz, vidhet shkrimi "Arbeit macht frei"
VARSHAVE- Shkrimi i njohur në gjuhën gjermane "Arbeit macht frei" (Puna të bën të lirë), që figuron në portën e hyrjes së ish-kampit nazist të Aushvitz-Birkenau, në jug të Polonisë, është grabitur. Lajmi bëhet i ditur nga policia polake e cila nuk jep detaje mbi ngjarjen. “Shkrimi është vjedhur në orët e para të mëngjesit” deklaroi zëdhënësi i muzeut i cili administronte ish kampin nazist, duke shtuar se- kushdo që mund ta ketë bërë e dinte shumë mirë cfarë po bënte. Tabela e rrëmbyer është zëvendësuar me një kopie e cila ishte krijuar prej kohësh, pasi do të riparohej tabela origjinale. Policia ka nisur hetimin ndërsa prefektura ka garantuar se do të arrestojë autorin e grabitjes. Ish kampi nazist është mbyllur gjatë natës nga policia e cila ka ushtruar kontroll. Kjo ishte grabitja e parë e ndodhur në një vend të quajtur si simbol i Holokastit. Në kampin e Aushvitz, në Poloni, atëherë e pushtuar nga Gjermania e Hitlerit, u shfarosën në dhomën me gaz mbi 1.1 milionë hebrejë. Më 27 janar të vitit 1945 u çlirua kampi më i tmerrshëm i shfarosjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Autorietet kanë dënuar aktin dhe kanë kërkuar vënien sa më parë para ligjit të autorëve të grabitjes. (s.g/BalkanWeb)