E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbora, bllokohen disa zona në veri të vendit

Dhjetra, komuna rezultojnë të bllokuara si pasojë e reshjeve të dëborës që kanë përfshirë veriun e vendit prej disa ditësh.

Situata më e vështirë paraqitet në qarkun e Dibrës, ku reshjet e dëborës kanë bllokuar disa fshatra.

Në rrethin e Peshkopisë, fshatra të bllokuar ka në komunat Kalaja e Dodës dhe Lurë. Në komunën Kalaja e Dodës rezultojnë të bllokuar pesë fshatra, ndërsa 3 të tjerë janë të bllokuar në komunën Lurë.

Fshatra e rrugë të bllokuara ka edhe në rrethin e Bulqizës. Në komunën Ostren, janë të bllokuar 3 fshatra, në Komunën Selishtë, 4 fshatra, në Komunën Trebisht janë sërish 4 fshtra të bllokuar.

Probleme hasen në Tërnovë të madhe e të vogël, dhe në Zerqan.

Në këto zona vështirësi ka në lëvizjen e mjeteve në rrugët rurale.
Në rrethin e Matit, aktualisht nuk ka zona të bllokuara.

Në qarkun e Dibrës, trashësia e dëborës varion nga 30 deri 40 centimetra.

Rrugët nacionale në qarkun e Dibrës janë të gjitha të kalueshme.

Ndërkaq, fshatra e rrugë të bllokuara ka edhe në Qarkun e Kukësit.

Fshatra të bllokuar ka në komunat Arren, Zapod, Grykë Caj dhe Shishtavec.

Vështirësi në lëvizjen e mjeteve hasen në akset Qafë Shtamë-Qafë Shllak dhe Qafë Prush-Kukës.

Në qytetin e Kukësit, trashësia e dëborës, arrin në 15 centimetra.

Fshatra të bllokuara rezultojnë edhe në rrethin e Tropojës. Të bllokuar janë fshatrat Buçaj, Padesh, dhe Gegaj.

Rruga- Bajram Curr- Fushë Arrëz, është e kalueshme vetëm me zinxhirë.

Në Qafë Mali, trashësia e dëborës, arrin në 50 centimetra.

Ndërkaq, problemet e para janë shënuar edhe në qarkun e Shkodrës. Rruga Qafë Mali- Theth, rezulton e bllokuar, ndërsa Shosh -Dukagjin, kalohet vetëm me zinxhirë.

Vështirësi në lëvizjen e mjeteve hasen edhe në aksin Gropat e Selcës- Vermosh, i cili kalohet vetëm me zinxhirë.
Aktualisht, në këto zona reshjet e dëborës vazhdojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›