Obama i shkruan Kongresit: KFOR-i në Kosovë, në funksion të paqes
UASHINGTON - Në raportin e tij të rregullt që iu jep dy dhomave të Kongresit mbi gjendjen e forcave të armatosura amerikane jashtë vendit, Presidenti Barak Obama, flet gjerësisht për forcat amerikane në Afganistan si dhe ato në Irak, ndërkaq një pjesë e këtij raporti flet për këto forca edhe në Kosovë, në mbështetje të ruajtjes së paqes. “Derisa vendosja fillestare në Kosovë e këtyre forcave në kuadër të KFOR-it ishte mbikëqyrja dhe zbatimi i marrëveshjes tekniko ushtarake të Kumanovës, sot KFOR i parandalon ringjalljen e luftimeve dhe ruan paqen”, thekson Obama në raportin e tij. Kontributi amerikan në KFOR, thotë Obama, është 11 për qind ose 1 mijë e 475 pjesëtarë të cilët veprojnë nën komandën e NATO së, thuhet në një njoftim të Radio Kosovës nga Uashingtoni. Ndërkaq në lidhje me sigurinë në Kosovë, Obama përmend edhe policinë e Kosovës dhe ndihmën që i ofron asaj KFOR-i në rast të kërcënimeve dhe trazirave. Ndërsa në segmentin mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, Obama përshkruan detyrat dhe përgjegjësitë e saj, mbikëqyrjen nga një ministër civil, për të theksuar se KFOR-i e ndihmon atë në rekrutim të anëtarëve të rinj, me programe trajnimi sipas standardeve të NATO-s. "Kam urdhëruar pjesëmarrjen e forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara në të gjitha këto operacione mbi bazë të autoritetit kushtetues që kam", thekson Presidenti Barak Obama në arsyetimin e dislokimit të këtyre forcave. (d.b/BalkanWeb)