Polonia në zi, shuhet Lech Kaczynski
Presidenti polak, Lech Kaczynski humbi jetën dje në një aksident ajror në Rusi, bashkë me një pjesë të mirë të elitës politike dhe ushtarake polake. Të dhënat e para bëjnë fjalë për 96 veta në bord.Në një lojë të hidhur të fatit, delegacioni ishte drejtuar në Rusi për të kryer homazhe për viktimat e masakrës së Katinit, 70 vjet më parë, ku rreth 22 mijë oficerë ushtrie dhe klerikë polakë u ekzekutuan nga policia sekrete sovjetike në prill 1940. Sipas disa mediave, President Kaczynski kishte dashur të merrte pjesë në përkujtimoren e 7 prillit në Katin, ku ishte i pranishëm Kryeministri polak Donald Tusk dhe ai rus, Vladimir Putin. Por Kaczynski, kritik i shpeshtë i Kremlinit nuk ka marrë ftesë nga Moska, duke e organizuar vetë udhëtimin e tij për dje. Presidenti vdiq bashkë me bashkëshorten e tij, Maria, shefin e Shtabit të Përgjithshëm polak, Frantiszek Gagor; zëvendësministrin e Jashtëm; Guvernatori i Bankës Qendrore; anëtarë të kabinetit presidencial, etj. Ngjarja ndodhi në orën 8:56 (10:56 në Rusi). Në fillim u raportua se në bord ishte dhe vëllai binjak i Presidentit, ish-kryeministrin Jaroslaw Kaczynski, por u konfirmua se ai ndodhej në Varshavë. Kryeministri Donald Tusk tha se vendi do të mbante dy minuta heshtje në mesditën e së dielës për viktimat. Rusia ka deklaruar të hënën ditë zie. Avioni u nis nga Varshava, sipas Ministrisë Polake të Mbrojtjes. “Ndërsa po i afrohej aeroportit në Smolensk, pak km në lindje të Katinit, avioni është përplasur me disa pemë afër pistës”, tha Piotr Paszkoëski, zëdhënës për Ministrinë e Jashtme Polake. Sipas Komitetit hetimor të prokurorisë së përgjithshme ruse, avioni, i tipit Tupolev-154, po përpiqej të ulej mes mjegullës së dendur. Televizioni rus njoftoi se kulla e kontrollit ajror në aeroportin ushtarak të Smolenskut e kishte këshilluar pilotin e avionit të mos tentonte uljen, për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Autoritetet e aeroportit kishin këshilluar që avioni t’i drejtohej aeroportit të Minskut, në Bjellorusi. Por, piloti nuk e ka marrë në konsideratë paralajmërimin e kullës së kontrollit dhe ka bërë tre përpjekje për ta ulur avionin, të cilat kanë dështuar. “Përpjekja e katërt ishte fatale”, shkruhet në mediat ruse, që njoftuan se pjesë të avionit ishin shpërndarë në një rreze shumë të gjerë në një zonë moçalore. Sipas Kushtetutës polake, do të duhen deri në 60 ditë derisa të zgjidhet një President i ri dhe ndërkohë, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të qeveritarëve në Varshavë, këtë funksion do ta kryejë Kryetari i Dhomës së Ulët të parlamentit polak, Bronislaë Komorowski. Pas njoftimit, mijëra njerëz u mblodhën në Pallatin Presidencial në Varshavë për të hedhur lule dhe ndezur qirinj për Presidentin, vdekja e të cilit ngre shumë pyetje për qeverisjen në Poloni. Presidenti rus, Dimitri Medvedev ka ngarkuar Kryeministrin Vladimir Putin të drejtojë hetimet për vdekjen e Presidentit polak.
Liderët ngushëllojnë
Liderët e të gjithë botës kanë ngushëlluar popullin polak për humbjen e madhe të Presidentit të tyre dhe një pjese të elitës kombëtare. Presidenti Obama e konsideroi humbjen tragjike dhe tha se qëndron pranë familjes Kaczynski në këto çaste të vështira. Presidenti rus, Medvedev ia shprehu ngushëllimet kreut të Parlamentit. Të gjithë liderët e botës kanë shprehur dëshpërim të thellë për ngjarjen tragjike. Autoritetet shqiptare e konsideruan lajmin e vdekjes në aksident si shokues.
Si shpëtuan gazetarët nga vdekja
Nëse në avionin e Presidentit nuk do të kishte aq shumë njerëz, edhe gazetarët do të ishin brenda tij, por Presidenti vendosi që ata të lëviznin drejt Rusisë me një avion më të vogël. Raportimet për njerëzit të bord janë të ndryshme. Sipas autoriteteve nga trupat e gjetur, thuhet se në bord ishin mbi 90 persona, por lista e të ftuarve të Presidentit për homazhe përmbante 120 vetë, plus 9 anëtarë të ekuipazhit. Por mbase jo të gjithë kanë shkuar në aeroport.
Avioni nuk u zëvendësua për mungesë fondesh
Aeroplani Tu-154 i prodhimit rus, që përdorej për delegacionet zyrtare polake ishte 20-vjeçar. Sipas Agjencisë së Sigurisë së Aviacionit ka pasur 66 aksidente të aeroplanëve Tu-154, gjashtë prej të cilave kanë ndodhur në pesë vitet e fundit. Kompania ajrore ruse, “Aeroflot”, së fundi largoi nga përdorimi gjithë aeroplanët e këtij lloji. Zyrtarët polakë thanë se prej kohësh kanë dashur zëvendësimin e aeroplanit me të cilin udhëtojnë personalitetet e larta të vendit, por ndërrimi është shtyrë për mungesë fondesh. Avionit i ishte bërë një kontroll i plotë teknik pak muaj më parë
çfarë ndodhi në pyllin Katin me 22 mijë oficerët polakë
Masakra “Katin”, e njohur ndryshe si masakra e pyllit Katin, ishte një vrasje masive e mijëra të burgosurve lufte polakë (më parë oficerë ushtrie), intelektualë, oficerë policie dhe shërbyes të tjerë publikë nga ushtria sovjetike. Ngjarja u bazua mbi një propozim nga Lavrentij Beria, për të ekzekutuar të gjithë anëtarët e trupave oficere polake. Më 5 mars 1940, ky dokument zyrtar i nënshkruar nga e gjithë Byroja e lartë politike Sovjetike, përfshirë edhe Josef Stalin dhe Lavrentij Beria. Numri i viktimave është vlerësuar në rreth 22,000. Viktimat u vranë në pyllin “Katin” në Rusi, në burgjet “Kalinin” dhe “Kharkov” dhe vende të tjera. Rreth 8,000 prej tyre ishin oficerë të zënë rob gjatë pushtimit të Polonisë nga ushtria sovjetike më 1939, pjesa tjetër ishin polakë të arrestuar, se ishin “agjentë sekretë, xhandarë, sabotues, pronarë tokash, pronarë fabrikash, avokatë, priftërinj, zyrtarë”. Masakra i referohet veçanërisht ngjarjes në pyllin Katin, 19 kilometra në perëndim të Smolensk, Rusi, ku u shënua numri më i madh i ekzekutimeve të robërve të luftës i urdhëruar nga Stalini. Pas pushtimit të Bashkimit Sovjetik nga nazistët në qershor 1941, Moska u afrua me qeverinë polake në azil. Nazistët gjermanë njoftuan mbi zbulimin e varreve masive në pyllin “Katin” në vitin 1943. Zbulimi i dha fund marrëdhënieve diplomatike mes Moskës dhe qeverisë polake në azil, me bazë në Londër. Bashkimi Sovjetik e ka mohuar masakrën deri në vitin 1990. Një hetim i kryer nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Federatën ruse ka konfirmuar përgjegjësinë e Bashkimit Sovjetik për masakrën, por ende nuk e klasifikon atë si krim lufte apo genocid.
Kush ishte Lech Kaczynski
Lech Kaczynski ka lindur në Varshavë në qershor 1949 dhe ishte një nga vëllezërit binjakë që më vonë drejtuan kombin polak, si President dhe Kryeministër. Dy vëllezërit u bënë të njohur që në moshën 12-vjeçare, por në aktrim, falë interpretimit në filmin “Dy djemtë që vodhën hënën”. Lech Kaczynski ka fituar aprovimin e shumë votuesve mbi rreptësinë kundër korrupsionit. Sipas të dhënave në faqen presidenciale polake, ai ka përmirësuar sigurinë në qytet. Ndërsa ka marrë shumë përkrahje për përpjekjet e tij antikorrupsion, Kaczynski ka edhe një histori të gjatë të luftës për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Ai ka studiuar ligj, në Universitetin e Varshavës dhe më pas vazhdoi të punonte ngushtë me unionet. Në faqen zyrtare thuhet se Kaczynski ka punuar për Komitetin e mbrojtjes së punëtorëve në vitin 1976, për të mbledhur para për punëtorët e shtypur. Më pas ai ka dhënë leksione mbi ligjin dhe historinë e punës për anëtarët e Unioneve të Tregtisë së lirë. Në vitin 1980, ai mbështeti formimin e “Solidaritetit”, një union i ri mbrojtës nacional, i cili bashkoi të gjitha unionet e punës. Ai u bë President i Dhomës Supreme të Kontrollit, dhe më pas punoi për Institutin e çështjeve Publike dhe si anëtar i Komitetit brenda Ministrisë së Punës dhe çështjeve Sociale. Posti i tij i parë në Qeveri iu dha në vitin 2000, kur u caktua Ministër i Drejtësisë. Bashkë me vëllain e tij binjak, formuan në vitin 2001 partinë e krahut të djathtë, Komiteti Kombëtar Ligj dhe Drejtësi. Në vitin 2002, popullariteti në rritje i Lech Kaczynski-t bëri që ai të zgjidhej kryetar bashkie në Varshavë. Gjatë kësaj periudhe, si konservator ai urdhëroi dy herë ndalimin e paradave të homoseksualëve, si dhe foli në favor të rivendosjes së dënimit me vdekje. Figura e tij ka qenë mjaft e diskutueshme në botë, por qëndrimi i tij i djathtë në një sërë çështjesh të rëndësishme ishte pritur mirë nga shumë polakë. Popullariteti i madh e detyroi të hiqte dorë nga qeveria lokale, për të marrë postin e Presidentit të vendit në vitin 2005.
Kush ishin në avion
Lech Kaczynski – Presidenti Polak
Maria Kaczynski – Bashkëshortja e Presidentit
Ryszard Kaczorovski – Presidenti i fundit polak në azil
Aleksander Szczyglo – Kreu i Sigurisë Kombëtare
Pauel Vypych – Ndihmës president
Mariusz Handzlik – Ndihmës president
Jerzy Szmajdzinski – Zv/kryetar Parlamenti
Andrzej Kremer – Zv/ministri i Jashtëm
Gjen. Franciszek Gagor – Kreu i stafit të ushtrisë
Andrzej Przevoznik – Ministër për memorialin e L.II.B.
Slavomir Skrzypek – Guvernatori i Bankës së Polonisë
Janusz Kurtyka – Kreu i Institutit kombëtar të Përkujtimor
Janusz Kochanovski – Komisioner i të drejtave civile