E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qiradhënësi na vrau për 400 euro”



Ariana Zelo, 31-vjeçarja e plagosur në masakrën e tri ditëve më parë në Olbia të Sardenjës në Itali, ku një 69-vjeçar vrau dy emigrantë shqiptarë, rrëfen tmerrin e përjetuar mes plumbave. Për një media lokale, e mbijetuara e ka treguar se “qiradhënësi i tyre në momentin e ngjarjes dukej si i çmendur”. Ngjarja e së enjtes në dreke, kur pa të vriteshin Gazmend Pecën dhe Kamsem Memajn, i është kthyer asaj në një makth, aq sa nuk arrin të mbyllë sytë, pasi i duket sikur ende dëgjon krismat e armës. “Ka gabuar pak, shumë pak, përndryshe do të më kishte vrarë. Të paktën fëmijën e kishte zënë gjumi dhe e kisha vënë në shtratin e saj. Do ta kishte vrarë edhe atë pa mëshirë. Plumbat fluturonin nga njëra anë e dhomës në tjetrën. Unë ende nuk e kuptoj, se si arrita të shpëtoj. U përpoqa të mbrohem, por Nino Kerki më drejtonte pistoletën dhe vazhdonte të gjuante. Donte të më vriste. Ishte i vendosur”, ka pohuar Zelo për një gazetë lokale të Sardenjës. “Donte paratë e qirasë të apartamentit dhe filloi të na kërcënonte. Kishte ardhur edhe herë të tjera. Të paktën tre herë të tjera. Por ne nuk i kishin 400 euro. Filloi të ulërijë. Dukej i papërballueshëm. Pastaj, papritur, u largua. Menduam se ishte qetësuar. Pas dy minutash ai u kthye sërish. Kishte një pistoletë në dorë. Iku në shtëpinë e tij dhe u përgatit si të vinte në një fushatë ndëshkuese. Hyri në shtëpi dhe nisi të gjuante. Ishte si një ‘furtunë’ në shtëpi. Plumbat filluan të shkreheshin me vrull. Gazmendi dhe Kasemi vdiqën menjëherë, por ai i qëlloi sërish. Unë nuk dija si të mbrohesha. U përpoqa të fshihesha, por nuk mund të largohesha. Pashë vdekjen me sy. është një mrekulli që jam gjallë”, është shprehur ajo. Për deklaratat e autorit të masakrës, se e kishin sulmuar, Ariana Zelo ka pohuar të kundërtën. “Askush nga ne nuk donte ta vriste. I kërkuam të na priste edhe pak, pasi nuk i kishim paratë për qiranë. Unë jam e papunë, ndërsa Gazmendi dhe Kasemi punonin si muratorë dhe kishin një rrogë që mjaftonte vetëm për të jetuar. Kerki donte që t’i paguanim gjithçka. Nuk donte të dëgjonte arsye dhe filloi të ulërasë. Pastaj u rikthye me pistoletë dhe bëri atë që bëri”. Ndër të tjera Zelo, ka treguar edhe për marrëdhëniet e mëparshme me agresorin. “Hynte në shtëpi sa herë që donte. Na pyeste nga shkonim dhe ç’bënim. Bisedonim. Ishte njeri i mirë. Mbi të gjitha ishte një njeri i mirë dhe do të vija dorën në zjarr që nuk do të ishte në gjendje të na bënte keq. Nuk e prisja. Nuk më besohet. Më duhet e pamundur. Madje deshi të na vriste të gjithëve. Për vetëm 400 euro dhe për një vonesë prej dy ditësh. Po përse nuk e kanë mbyllur në burg? Nuk mund të qëndrojë jashtë. Vrau dy të rinj, tentoi të më vrasë edhe mua”, është shprehur ajo.

Autori i masakrës në gjyq: Më kërcënuan

Nino Kerki, autori i masakrës në familjen e emigrantëve shqiptarë tregoi në gjykatë një tjetër version të ngjarjes. I pyetur nga gjyqtari që caktoi Kerki ka pohuar se kishte qëlluar mbi shqiptarët nga frika se do të sulmohej prej tyre. Sipas deklaratave të tij para gjykatës, i moshuari 69 vjeçar, në gjendje të rënduar shëndetësore, ka pohuar se prej kohësh ai ndjehej i kërcënuar nga shqiptarët, të cilëve u kishte dhënë me qira një ambient të tij. Sipas prokurorisë, “çmenduria” e të moshuarit, ish numrit dy të banditizmit në Sardenjën e viteve 1960 ka ardhur pas vonesave të pagesës së qirasë nga shqiptarët. Prokuroria ka kërkuar për të masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjykata do të vendosë për të masën e sigurisë, pasi të moshuarit t’i bëhet një kontroll mbi gjendjen shëndetësore. Kjo për të provuar nëse ai mund të qëndrojë në burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›