E Diel, 1 Nëntor 2026

Polonia përkrah Shqipërinë në rrugën drejt BE

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha priti sot në mesditë në një takim Ministrin e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë, Bogdan Zdrojevski.
"Kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve dhe shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të thelluar dhe zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat", bëri të ditur zyra e shtypit e Kryeministrisë.
Kryeministri gjatë takimit, vlerësoi mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë polake, si në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO , në proceset transformuese të vendit, ashtu edhe në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij, ministri Zdrojevski theksoi se Polonia ka qenë një mbështetëse në anëtarësimit e Shqipërisë në NATO dhe se do të vazhdojë ta përkrahë dhe mbështesë fuqimisht atë në rrugën e saj drejt integrimit në BE.
"Polonia inkurajon integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Evropë dhe në këtë kontekst, Shqipëria është në rrugën e duhur", tha ai.
Ai i cilësoi kolosale ndryshimet në shumë fusha, si infrastrukturën rrugore, në fushën e ekonomisë, turizmit, kulturës etj.
Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh, veçanërisht në atë kulturor dhe të turizmit, ministri polak shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin shumë të mirë në fushën e arkeologjisë mes dy vendeve, si dhe garantoi angazhimin e qeverisë polake për të forcuar më tej bashkëpunimin në këtë fushë. Në këtë kontekst, ai theksoi se edhe prania e më shumë se 200 operatorëve turistikë polakë në Shqipëri është shprehje e interesit në rritje që Polonia ka për vendin tonë.
Kryeministri Berisha i përcolli ministrit Zdrojevski urimet për Kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk, me rastin e rizgjedhjes së tij në këtë post. Duke theksuar se kjo fitore është tërësisht e merituar, ai nënvizoi se qytetarët polakë vlerësuan reformat që qeveria polake, nën drejtimin e Kryeministrit Tusk, ka ndërmarrë në këto kohë të vështira për Evropën dhe mbarë botën. Gjatë takimit Berisha i përcolli atij ftesën për Kryeministrin Donald Tusk dhe Presidentin Bronislav Komorovski, për të vizituar Shqipërinë, një vend mik, në një kohë të përshtatshme.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›