Polonia tërheq ambasadorin nga Bjellorusia
Polonia ka tërhequr sot ambasadorin e saj nga Bjellorusia, pasi autoritetet bjelloruese shpërngulën një organizatë polake nga zyrat e saj.
Të hënën, autoritetet e Bjellorusisë konfiskuan një ndërtesë që përdorej nga grupi "Unioni i polakëve" në Ivenec, qytet pranë kryeqytetit Minsk. Gazetat polake kanë shkruar se forcat bjelloruse kanë përdorur "forcë brutale" për të zbrazur ndërtesën.
Ministria e Jashtme në Varshavë tha se hapi synonte t'i dërgojë "mesazh të fuqishëm politik" Minskut.
Trajtimi i pakicës polake në Bjellorusi ka qenë burim i shpeshtë i konflikteve me Poloninë. Rreth 400 mijë polakë jetojnë në Bjellorusi, vend me 10 milionë banorë.