Pippo Baudo Gjebreas: Qenke djali im shqiptar
Mes tyre gjen shumë lidhje. Janë dy binjakë, si shenjë zodiakale.
Janë të dy prezantues shumë të njohur, drejtojnë të njëjtin format televiziv, në dy ekrane të mëdha dhe kanë lindur të njëjtën datë, shtatë qershor. Po aq edhe viti ka të njëjtat shifra, ndonëse vendosur anasjelltas, 1936 dhe 1963. Bëhet fjalë për prezantuesin e njohur italian Pippo Baudo dhe kantautorin shqiptar Ardit Gjebrea, të cilët dje për herë të parë kanë komunikuar live nëpërmjet ekranit televiziv. Gjatë bisedës së tyre, ka mjaftuar ditëlindja e njëjtë dhe viti po ashtu, që prezantuesi i njohur i spektakleve në Itali, Pippo Baudo, ta quajë Gjebrean live për spektatorët e dy vendeve, djalin e tij shqiptar. Rreth orës 18:45, kohë kur transmetohej në Itali, në kanalin televiziv Rai Uno, emisioni i njohur prej shumë vitesh “Domenica in” dhe në Shqipëri, emisioni mjaft i ndjekur nga teleshikuesit shqiptarë “E diela shqiptare”, dy produksionet e mëdha, kanë pasur një lidhje direkte mes tyre. Ardit Gjebrea dhe Pippo Baudo, pas përshëndetjeve dhe brohoritjeve të spektatorëve për drejtuesit respektivë, kanë bërë edhe një bisedë të shkurtër mes tyre, për emisionet e së dielës, mbi formatin e tyre, për të ftuarit, spektatorët.... “Atëherë si shkon e sa zgjat e diela juaj?” ka pyetur Baudo drejtpërdrejtë nga skena e “Domenica In” prezantuesin shqiptar Gjebrea. “E diela jonë shkon shume mirë është viti i parë yni dhe ne po ndjekim shembullin tënd. Ti je, jo një hero kombëtar, por ndërkombëtar. Tek e diela juaj ka këngëtarë, aktorë?...- Po, ka dhe këtu tek ne dhe personazhi i nderit duhet të tregojë të vërtetat e jetës së tij përndryshe e vrasim....”, ka shtuar me shaka Gjebrea. Ndërkaq, Baudo është njohur edhe me ambientet e studios shqiptare, të emisionit “E diela shqiptare”. “Jam i lumtur që më në fund kanali televiziv, Rai Uno, që është një ndër kanalet televizive më të rëndësishme, apo emisioni “Domenica in” lidhet me ne. Për herë të parë në historinë televizive shqiptare, lidhen dy produksione të mëdha televizive, siç është “Domenica in” dhe “E diela shqiptare”, është shprehur Gjebrea pas lidhjes direkte me studion e Baudos në Itali.
18:45 minuta
ka qenë koha kur është realizuar edhe lidhja direkte mes dy studiove televizive, të “Domenica in” në Rai Uno dhe “E diela shqiptare” në Tv Klan.
Armaldo Kllogjeri te “Domenica in”
E pas kësaj bisede disa minutëshe mes dy moderatorëve të njohur Pippo Baudos dhe Ardit Gjebreas e më pas në studion e të dielës shqiptare në TV Klan, është transmetuar live momenti kur në skenën e “Domenica in” interpretonte edhe tenori i njohur shqiptar Armaldo Kllogjeri. Në një homazh për Luciano Pavarottin, dje në studion e Pippo Baudos, artisti i ri shqiptar, që prej vitesh interpreton në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, ka interpretuar “O sole mio” bashkë me dy artistë të tjerë italianë.