E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH: Shqipëria tranzit i drogës, imuniteti pengesë



Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi dje raportin vjetor për strategjinë ndërkombëtare kundër Drogave, në të cilin Shqipëria konsiderohet vend tranzit për lëndët narkotike. Në raport thuhet se Shqipëria shërben si një vend tranzit për trafikantët e drogave që transportojnë heroinën e prodhuar në Afganistan, nga Azia Qendrore për në destinacione të ndryshme në Evropën Perëndimore. Sipas DASH, në vitin 2009 u rrit sasia e heroinës së sekuestruar, ndërsa Qeveria e Shqipërisë u është kundërvënë me agresivitet elementëve kriminale, ndonëse përpjekjet e saj pengohen nga mungesa e burimeve dhe ekspertizës si dhe nga korrupsioni i lartë. Raporti vëren se patrullimi i mirë i detit dhe ndalimi i skafeve dhanë rezultat, pasi sasia e drogës që kalon në Itali është shumë e ulët. "Pagat e ulta, një shoqëri që e pranon gjerësisht ryshfetin, lidhjet e ngushta shoqërore, e bëjnë të vështirë luftën kundër korrupsionit në radhët e policëve, gjykatësve dhe zyrtarëve të doganave. Megjithëse rastet e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion janë shtuar, Shqipëria vazhdon të vuajë për shkak të mungesës së Pavarësisë e gjyqësorit, nga mungesa e transparencës së procedurave ligjore dhe shumë raste nuk zgjidhen kurrë. Hetimet e rasteve të korrupsionit pengohen nga imuniteti që gëzojnë zyrtarë të lartë të Qeverisë, gjykatës dhe anëtarë të Parlamentit", thuhet në raport.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›