E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati: Topalli-Dokle, PS: Nuk e zbatojmë Rregulloren e re

Topalli: Byroja mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e një grupi deputetësh për të marrë masa disiplinore për 3 deputetët, Taulant Balla, Sajmir Tahiri dhe Erion Braçe, të cilët gjatë seancës së fundit në mënyrë të përsëritur kanë shpifur dhe fyer përfaqësuesit e qeverisë dhe drejtuesen e seancës

Dokle: Pa i hyrë debatit për kërkesën e paraqitur, dua të ngre shqetësimin për mënyrën sesi është kompozuar Byroja. Ajo nuk respekton Rregulloren, e cila përcakton se “Byroja e Kuvendit drejtohet nga Kryetari i Kuvendit dhe përbëhet nga zv/kryetarët e Kuvendit, 2 sekretarët për buxhetin e Kuvendit dhe 4 sekretarët e tjerë. Përbërja e Byrosë vendoset me votim të hapur nga Kuvendi në seancë plenare dhe përfaqëson, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit”. Nga sa shoh unë, këtu jemi në raportet 8 për mazhorancën dhe 2 për opozitën. Ky është raporti i përfaqësimit mes këtyre dy palëve në Kuvend?

Topalli: Byroja është ngritur me vendim të Kuvendit para një viti e gjysmë.

Dokle: Kjo është një shkelje, ashtu siç është shkelje ligjore ndryshimet që ju bëni në Rregullore. Ndaj jua kemi thënë dhe po jua themi sërish, mos prisni nga ne që të zbatojmë një Rregullore të miratuar në mënyrë të paligjshme. Po e përdorni Rregulloren kundër nesh, ndaj ne do të rrimë të gjithë atje te foltorja nga 3 minuta dhe po deshe na përjashto të gjithëve.

Topalli: Ju do mësoheni të zbatoni Rregulloren, do mësoni të silleni siç duhet, siç i ka hije një institucioni të tillë. Nuk mund të vini dhe të akuzoni dhe të nxirrni nga goja ç’t’ju vij për mbarë

Dokle: Moj zonjë, e kupton që është i papranueshëm motivimi që ju shoqëroni kërkesën për përjashtim të Taulant Ballës? Çfarë kupton ti me shpifje, si i vërteton ti ato? Nëse do ndjekim të njëjtin standard për të gjithë, atëherë ai që duhet të përjashtohet i pari është Berisha, pasi vetëm dy javë më parë më akuzoi mua personalisht si kapo droge. Berisha ka sharë me motër me nënë, na ka thënë sillni gratë lakuriq këtu.

Braçe: Jo vetëm Berisha, por edhe ti personalisht shpif në mënyrë të vazhdueshme ndaj deputetëve të opozitës. Çfarë duhet të bëjmë ne, të heshtim për këto që thua ti?

Topalli: Kë quan shpifje ti, atë që unë them të zbatohet Rregullorja?

Braçe: Moj, vetëm dhjetë ditë më parë në seancë akuzove Ahmetajn se ka bërë lobing kundër heqjes së vizave. Këto janë shpifje, përsa kohë ti s’i vërteton dot. Ça duhet të bëjmë ne me ty?

Turku: Propozoj që për rastin e Ballës të marrim masën e kërkuar nga grupi i deputetëve, ndërsa dy deputetët e tjerë t’i falim kësaj here.

Braçe: Po na fal, përse, nga se?

Dokle: Para se të merrni vendimin, kërkojmë të shohim pamjet që keni të regjistruara dhe të shohim se çfarë ka bërë Balla, çfarë ka shpifur dhe përse ju ka ofenduar.

Topalli: Dakord, pamjet do t’i shihni.

Tavo: Unë mendoj se marrja e masave të tilla ndëshkuese nuk është normale, këto nuk ndihmojnë në uljen e tensionit. Ndaj do të propozoja që as Balla të mos dënohej.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›