E Diel, 1 Nëntor 2026

Poni: Kartat, sot afati i fundit. S‘ka më shtyrje

Një milion shqiptar kanë marrë në dorë kartën e identitetit. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, bëri dje me dije se vetëm gjatë ditës së martë numri i personave që kanë tërhequr kartën e identitetit ka shkuar në 24 mijë gjatë gjithë ditës. Afati i fundit për aplikimin e kartës së identitetit për personat pa pasaportë është dita e sotme deri në orën 22.00. Ministria e Brendshme dhe kompania "Aleat" kanë garantuar se shtetasit që do të aplikojnë për kartën e identitetit më 18 qershor do ta kenë në dorë atë ditën e zgjedhjeve. "Numri total i letërnjoftimeve të prodhuara është 1 milion e 300 mijë. Nga këto një milion e 279 mijë e 338 letërnjoftime janë në zyrat e shpërndarjes dhe nga 1 milionë e 300 mijë 1 milionë janë shpërndarë. Numri total i letërnjoftimeve të tërhequra vetëm të martën është 24 mijë e 233 që tregon se është plotësisht e mundshme që diferenca mes aplikimeve dhe letërnjoftimeve të tërhequra të shpërndahet, të ezaurohet gjatë këtyre ditëve që kemi, rreth 12-13 ditëve", tha Poni. Sipas Ministrisë së Brendshme, deri më 16 qershor në vend kishin aplikuar mbi 1.3 milionë shtetas. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme në internet janë publikuar emrat e shtetasve të pajisur me letërnjoftimet elektronike. Pas datës 18 qershor, Ministria e Brendshme nuk garanton asnjë shtetas që do të marrë letërnjoftimin elektronik brenda datës 28 qershor. Ende nuk dihet se cila do të jetë zgjidhja për të votuar për personat të cilët nuk kanë mundur të marrin kartën e identitetit dhe që nuk kanë pasaportë. Ministria e Brendshme do të publikojë ditën e premte të dhënat e plota sesa është numri i aplikuesve për kartat e identitetit, sa është numri i personave pa pasaporta, të cilët kanë aplikuar për kartën e identitetit dhe sa është numri i personave pa pasaportë, të cilët ende nuk kanë bërë aplikimin për dokumentin elektronik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›