Topalli: Gruaja duhet të ndihet e suksesshme
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ishte dje e pranishme në një miting entuziast, që u zhvillua në Pallatin e Sportit të Vlorës, me pjesëmarrjen e grave dhe vajzave nga ky qytet. Duke e marrë fjalën në këtë miting, zonja Topalli përcolli mesazhe të bashkimit mes grave, të cilat, sipas saj, janë bashkë kudo "edhe kur shkojnë në shkollë edhe kur shkojnë në spital, duke u kujdesur për fëmijët edhe kur shkojnë në çerdhe". "Ne i shohim të tjerët me sy tjetër, i shohim fëmijët e të tjerëve, si fëmijët tanë. Në zemrën e nënës gjen gjithmonë falje edhe kur fëmijët gabojnë", theksoi mes të tjerash, Topalli. "Ne nuk kërkojmë favore, ne kërkojmë të drejtën", shtoi më tej ajo, duke iu drejtuar mijëra grave dhe vajzave të pranishme, që kishin mbushur plot sallën e Pallatit të Sportit. Sipas saj, "gruaja duhet të ndihet gjithmonë e suksesshme, edhe në politikë". Prandaj dhe të gjitha gratë, të gjitha nënat, ato që jetojnë sot vetëm, që kanë fëmijët në emigracion, ato që rrisin fëmijë jetimë, do të jenë prioritet i qeverisjes së ardhshme të Partisë Demokratike.