Votimi, PS dyshime për bojën shënjuese
Opozita shpreh dyshime për bojën matrikuluese që do të përdoret për të shenjuar zgjedhësit, në mënyrë që të mos lejohen të votojnë më shumë se një herë. Burimet zyrtare të KQZ konfirmuan dje për "Shqip" se boja matrikuluese është marrë nga KQZ dhe janë bërë analizat përkatëse, rezultati i të cilave thotë se çdo gjë është sipas cilësive të kërkuara. Ndërkaq, Partia Socialiste ka kërkuar që gjatë procesit të bërjes së analizave të ketë të pranishëm një ekspert të saj, çka sipas përfaqësuesit të PS-së, në KQZ, Genc Gjonçaj, është refuzuar nga drejtuesit e këtij institucioni. "Kërkuam të marrim pjesë në procesin e bërjes së analizave, por nuk pranuan. Ndërkohë që kam dorëzuar një shkresë me shkrim ku kërkojmë që të na vihet në dijeni çfarë cilësisht ka boja, në mënyrë që ajo të mos fshihet lehtësisht", tha Gjonçaj. Në këtë mënyrë edhe ky proces nuk mund të shpëtojë nga dyshimet për cilësinë e bojës matrikuluese, analizat e së cilës janë kryer në një laborator në varësi të Ministrisë së Ekonomisë. Ndërkohë, adresat e qendrave të votimit në territorin e njësive vendore ishin objekt i një debati mes kreut të KQZ-së, Arben Ristani, dhe përfaqësuesit juridik të PS-së, Genc Gjonçaj, në fillim të mbledhjes së pasdites. Gjonçaj, jashtë rendit të ditës, shprehu shqetësimin se të dhënat e KZAZ-ve për adresat apo vendndodhjen e qendrave të votimit janë të ndryshme nga ato që disponon KQZ. Ngërçi duket se ka lindur në momentin kur 90% e njësive vendore nuk dorëzuan të dhënat në KQZ. Në mungesë të informacionit nga njësitë vendore, KQZ ka marrë listën për çdo qendër votimi nga Ministria e Brendshme. Ndërkohë që KZAZ-të nga ana e tyre kanë bërë ndarjet e tyre për numrin e qendrave të votimit, në bazë të popullsisë, ndarje që realisht nuk është e reflektuar në të dhënat e Ministrisë së Brendshme. Ndaj, Gjonçaj kërkoi të dhëna nga KQZ në lidhje me këtë çështje duke dashur të dijë se çfarë po bën institucioni i menaxhimit të zgjedhjeve për këtë situatë. Kreu i KQZ-së, Ristani, sqaroi se u është nisur letër të gjitha KZAZ-ve që të mos bëjnë ndarje të qendrave të votimit jashtë afatit të votimit. Sakaq, Partia Socialiste kërkoi që kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike të japin dorëheqjen nga postet që mbajnë. Përfaqësuesi ligjor i selisë rozë, vuri në dukje dje në mbledhjen e KQZ-së se shumë prej kandidatëve të djathtë vijojnë ende të mos tërhiqen nga postet që ata mbajnë, kryesisht në administratë dhe kjo bie ndesh me Kushtetutën. "Bazuar në nenin 69 të Kushtetutës, askush nuk mund të kandidojë për deputet pa hequr më parë dorë nga detyra e funksioneve të larta të administratës shtetërore", tha Gjonçaj. Kërkesa e përfaqësuesit të Partisë Socialiste shkaktoi reagimin e përfaqësuesit juridik të PD-së, Njazi Kosovrasti, i cili vlerësoi se kërkesa e socialistëve është e pavlefshme. "Kërkesa e juaj mbetet e pavlefshme, pasi ajo duhej bërë qysh në momentin kur u paraqitur lista e kandidatëve në Komisionin Qendror të zgjedhjeve. Kandidatët do japin dorëheqjen kur të fitojnë mandatin", tha Kosovrasti. Shqetësimi i shprehur nga Gjonçaj u pranua nga kreu i KQZ, i cili bëri me dije se institucioni do u dërgojë një letër të gjithë kandidatëve që kanë një konflikt të tillë interesi se janë në shkelje të ligjit.