E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poni: Mocion mosbesimi ndaj Ramës

Grupi i këshilltarëve demokratë në Këshillin e Bashkisë së Tiranës ka kërkuar dje mocion mosbesimi ndaj kryetarit të bashkisë së kryeqytetit. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i grupit të këshilltarëve demokratë në bashkinë më të madhe të vendit, Ferdinand Poni, i cili kërkoi edhe dorëheqjen e kryebashkiakut Rama. Shkak i këtij vendimi të demokratëve, sipas Ponit, është bërë "ofendimi që kryetari i Bashkisë së Tiranës i ka bërë Ditës së Flamurit, ditëlindjes së kombit shqiptar". Grupi i këshilltarëve të PD-së ka bërë me dije se do të kërkojë në mbledhje të këshillit bashkiak mocion mosbesimi ndaj kryetarit të bashkisë. "Ky mocion do të kërkohet për aktin e turpshëm, rrugaçëror, antishqiptar, të pafalshëm të tij. Kam besim se këshilltarët do të votojnë të bashkuar rreth dinjitetit të qytetit dhe të kombit", u shpreh Poni. Në deklaratën e përbashkët të këshilltarëve demokratë citohet se "kryetari i Bashkisë së Tiranës, në një veprim të turpshëm e të papërgjegjshëm, njëlloj sikur ta kishte Tiranën çiflig të familjes së tij, përjashtoi kryeqytetasit nga festa me një akt fund e krye të turpshëm për kryeqytetin e vendit, duke ndaluar çdo lloj veprimtarie festive të bashkisë dhe duke e përjashtuar Tiranën nga çdo lloj dekorimi e zbukurimi për festën më të madhe të shqiptarëve, për festën e mbarëshqiptarëve". Kaq ka mjaftuar për të revoltuar demokratët, të cilët kanë festuar Ditën e Pavarësisë dhe atë të Çlirimit më datën 28 Nëntor. Përpos këtij vendimi të këshilltarëve bashkiakë demokratë nuk dihet nëse këta të fundit do të pengojnë apo jo festimin e Festës së Çlirimit. Sipas Ponit, dje shtëpia që i takonte të ishte si shtëpia e parë e qytetit të Tiranës ngjasonte jo në festë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›