E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poni: Nuk do të ketë penalitete për ata që largohen pa aplikuar

Ministria e Brendshme ka ftuar dje të gjithë emigrantët që janë kthyer në Shqipëri që përpara se të largohen, të aplikojnë për dokumentet biometrike të identifikimit. Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinant Poni, ka sqaruar se qendrat e aplikimit janë në funksionim në të gjithë vendin dhe po vërehet një shtim i aplikimeve për pasaportën biometrike. Ndryshe nga më parë, kur të gjithë shtetasit ishin të detyruar të aplikonin me letërnjoftimin dhe pasaportën biometrike, për të dalë jashtë vendit, tani nuk do të aplikohen penalitete për emigrantët dhe shtetasit që largohen pa aplikuar.

"Tani ka më shumë aplikime për pasaporta, ndoshta dhe për shkak të fluksit të emigrantëve, por unë do të preferoja të thosha që për shkak të rritjes së dëshirës së qytetarëve shqiptarë për të pasur pasaportat e reja, jemi në kufijtë e 1500-2000 aplikimeve në ditë. Deri tani kanë aplikuar rreth 70 mijë shtetas për pasaportë dhe në kufijtë normalë ato prodhohen dhe shpërndahen. Përgjithësisht ne e ndjekim me aplikimin, sepse nuk ka asnjë problematikë me prodhimin dhe shpërndarjen. Ajo që ngelet për të kërkuar tani është që qytetarët shqiptarë të pajisen me pasaporta biometrike, t‘i kenë ato në mënyrë që hap pas hapi ne të bëjmë atë kalimin cilësor. Pra, përmbushja e detyrimeve sasiore të bëjë dhe kalimin cilësor për dokumentet e reja dhe për fitimin e statusit të lëvizjes së lirë në Europë", bëri të ditur Ferdinant Poni, zv. ministër i Brendshëm.

Gjithashtu, Poni u shpreh se aktualisht, në të gjithë vendin janë mbi 70 mijë aplikime për pasaportë, ndërsa çdo ditë prodhohen 1500 deri në 2000 të tilla. Sipas autoriteteve, kapacitetet e prodhimit janë deri në 30 mijë dokumente të sigurisë së lartë, në ditë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›