E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat biometrike emigrantët "pushtojnë" sportelet e postës

Stina e verës përveç temperaturave të larta ka shënuar edhe kulmin e tërheqjes së kuponëve për pasaporta biometrike në kryeqytet. Kthimi i emigrantëve në atdhe për pushime, por edhe për të mbyllur punët me dokumentet gjatë këtij sezoni veror, sipas përfaqësuesve të Postës Shqiptare, ka shtuar ndjeshëm shitjen e kuponëve për pasaportat biometrike, por edhe për kartat e identitetit.

Kështu, nëse para nisjes së sezonit turistik kuponët për kartat e identitetit janë tërhequr më shumë, muajt e fundit numri i lartë i emigrantëve që kanë hyrë në territorin shqiptar ka shtuar fluksin e lartë për tërheqjen e faturave të pagesës për pasaportat biometrike. Sipas përfaqësuesve të postës shqiptare, deri tani janë shitur rreth 1 milionë 309 mijë e 792 kuponë për letërnjoftimet elektronike dhe 61 622 kuponë për pasaportat biometrike. Drejtoresha e Postës Shqiptare për Tiranën, Pranvera Lalaj, shprehet se gjatë këtyre dy muajve të fundit, tërhiqen në ditë nga sportelet e postës, rreth 500 kuponë për pasaportat biometrike.

"Shikojmë në krahasim me fillimin që ka një fluks të madh shitjesh për pasaporta biometrike. Ndërsa fillimisht kemi pasur rreth 100 kuponë për pasaporta në ditë, tani ka arritur në 500-600 në ditë me ardhjen e emigrantëve", pohon Pranvera Lalaj, drejtoreshë e Postës Shqiptare për Tiranën.

Ajo thotë se numri i kuponëve të shitur për kryeqytetin është rritur ndjeshëm, ndërkohë që për të përballuar këtë fluks, janë shtuar dhe sportele në komuna dhe fshatra.

"Shërbehet pothuajse në të gjitha zyrat postare të qytetit dhe të fshatit, ku fillimisht kanë qenë vetëm zyrat postare të qytetit, të Tiranës dhe të Kavajës, tani ky shërbim është shtrirë në të gjithë fshatrat. Për Tiranën, numri është 25 mijë, ndërsa totali i kuponëve ka arritur në 340 mijë kuponë, për kartat e identitetit", vijon Lalaj.

Nga ana tjetër, drejtuesit e postës garantojnë për të gjithë ata që janë të interesuar se mund t‘i gjejnë sportelet e postës të hapura, edhe gjatë ditëve të fundjavës, të shtunën, madje edhe të dielën.

Çmimi i pasaportave biometrike arrin në 6 mijë lekë të reja. Fillimisht fluksi i të interesuarve u përqendrua në tërheqjen e kuponëve për karta identiteti, të cilat u konsideruan prioritare për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare më 28 qershor 2009, por kthimi në atdhe i të mërguarve ka hapur një tjetër front interesi, atë të pajisjes me pasaporta biometrike, të cilat nga autoritetet konsiderohen si të pafalsifikueshme për shkak të elementeve të sigurisë. Por këto pasaporta vlerësohen edhe në vendet e BE-së, pasi përmbajnë të dhëna të kompjuterizuara për të gjithë individët që i disponojnë ato.

Pajisja e shqiptarëve me karta identiteti, si dhe me pasaporta biometrike është një ndër detyrimet e panegociueshme të vendit tonë për anëtarësimin e tij në strukturat e Bashkimit Europian. Kjo edhe për faktin se vetëm me një popullsi të regjistruar mund të reduktohen një seri problematikash që vijnë kryesisht nga vendet e lindjes dhe përballen me shtetet perëndimore anëtare të BE-së.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›