E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stok kartash identiteti në zyrat e aplikimeve

Shumë karta identiteti mbeten stok dhe nuk tërhiqen nga personat, të cilët kanë aplikuar për to. Një fakt i tillë është prezent thuajse në të 11 njësitë bashkiake në kryeqytet. Janë vetë punonjëset e zyrave, ku aplikohet për pajisjen me karta identiteti, ato që pohojnë se është tepër i lartë numri i kartave të pa tërhequra. Nga ana tjetër, nuk mungojnë as rastet kur kartat janë plotësuar gabim, për faj të punonjësve apo të vetë aplikantëve, dhe ripërsëritja e tyre në variantin e rregullt ka krijuar probleme për të dyja palët. Në pjesën më të madhe të rasteve mësohet se qytetarët mbeten në pritje për të marrë dokumentin e ri identifikues pa gabime. Por, duket se koha për këtë është zgjatur shumë dhe një pjesë e tyre heqin dorë.

Ndërkohë që, radhët janë shtuar përpara këtyre zyrave, punonjësit e të cilave, deri pak kohë më parë ankoheshin se po qëndronin gjatë gjithë ditës në punë më kot, për shkak të mungesës së aplikimeve. Aktualisht, puna është shtuar dhe gjatë ditës kryhen më shumë se 80-90 aplikime dhe tendenca, sipas vetë punonjësve të këtyre zyrave, është duke u rritur çdo ditë e më shumë. Shkak për këtë pohojnë ato, janë aplikimet e bëra nga emigrantët ose familjarët e tyre, kryesisht për pasaporta biometrike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›