E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, të prekurit në Shqipëri arrijnë në 19 raste

Janë plot 11 të dyshuar se janë bartës të virusit AH1N1, gripit të derrit. Pritet vetëm konfirmimi i analizave nga laboratori i referencës në Bukuresht. Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar dje në publikimin e buletinit informativ të radhës se janë plot 11 raste të dyshuara për AH1N1, ku 8 prej tyre nuk kanë udhëtuar jashtë. Kjo tregon se ka një përhapje të virusit në vend dhe jo më vetëm importim të tij nga vendet e prekura nga influenca e rrezikshme AH1N1. Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar në buletinin e radhës, lidhur me ecurinë e shpërhapjes së këtij virusi në Shqipëri. Sipas evidentimeve të specialistëve të Shëndetit Publik, shenjat e gripit te rastet e konfirmuara janë të lehta, krahasuar me ato në vendet e tjera. Sakaq, udhëzimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të dërguar mostra, kampionë gjaku nga i gjithë vendi drejt Institutit të Shëndetit Publik nuk po jep maksimumin e saj. Edhe pse laborantët dhe stafet mjekësore i kanë të gjitha kushtet për të marrë dhe grumbulluar një sasi të konsiderueshme kampionësh, përsëri sasia e kampionëve dërguar nga gjithë vendi pranë ISHP-së është e pakët.

Buletini informativ

Të gjitha rastet e shfaqura në Shqipëri me virusin AH1N1 kanë simptoma të lehta. ISHP ka raportuar lidhur me ecurinë e shpërhapjes së këtij virusi në vendin tonë, se shenjat e shfaqura ishin temperaturë më e ulët se 38 gradë Celsius, dhembje koke, dhembje fyti, dhembje muskulore dhe lodhje. Sipas ISHP-së, vetëm dy raste të mundshme paraqitën shenja klinike, për të cilat u gjykua shtrimi në spital dhe vetëm për një rast u fillua trajtimi i menjëhershëm me Tamiflu. Të gjitha rastet e tjera nuk kanë pasur komplikacione dhe nuk janë shtruar në spital. Izolimi i tyre është kryer në kushtet e shtëpisë. Dy raste janë trajtuar në kushte ambulatore dhe nën mbikëqyrjen e mjekut me Tamiflu. Në Shqipëri janë konfirmuar deri tani 8 raste me gripin e derrit dhe 11 raste të tjera dyshohen si të mundshme.

Rezultatet

Departamenti i Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik është ende në pritje të rezultateve nga Rumania për konfirmim ose jo të 11 personave që dyshohen se janë prekur nga gripi i derrit.

Sipas mjekëve, mësohet se 8 prej këtyre të sëmurëve nuk kanë udhëtuar jashtë vendit, por kanë qëndruar në Shqipëri, çka dëshmon për një përhapje të virusit brenda vendit. Mosha e personave që dyshohet se janë prekur nga ky virus është 25 deri në 44 vjeç. Deri tani rastet e paraqitura në vendin tonë janë të gradës së lehtë dhe mesatare. Ende nuk ka të dhëna se gripi ka prekur moshat e vogla, duke përfshirë moshën nga 0-13 vjeç.

Sakaq, në fillim të shtatorit pritet të kemi jo vetëm rritje të numrit të personave të prekur nga virusi A H1N1, por edhe shtim të komplikacioneve. Mjekët këshillojnë larjen e duarve disa herë gjatë ditës, me sapun dhe jo më pak se 10 sekonda. Goja dhe hundët duhet të mbulohen me shami. Qytetarët duhet të kenë një sistem të fortë imunitar duke e stimuluar, me regjim, pushim, përdorimin e një diete të pasur ushqimore, me lëngje, vitamina e proteina.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›