E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oborret në përdorim, rrëzohet kërkesa për mungesë dokumentacioni



Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave vijon me dhënien e titujve të pronësisë për oborret në përdorim, por kjo agjenci ka dhënë edhe vendime negative për shumë kërkesa të bëra në AKKP. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, shprehet se pavarësisht shumë vendimeve pozitive që ka dhënë kjo agjenci, ka pasur edhe refuzime nga ana e AKKP-së. “Ne kemi dhënë shumë vendime pozitive për tjetërsimin e sipërfaqeve të oborreve në përdorim dhe po ashtu fatkeqësisht kemi dhënë edhe vendime negative, pasi nuk plotësonin kushtet dhe kriteret e vendimit të Këshillit të Ministrave me numër 200”, - tha Cefa për gazetën “standard”. Ai më tej shpjegoi vështirësitë e këtij procesi, që më së shumti vijnë për shkak të pasqyrimit që këto prona kanë në zyrat e regjistrimit. Sipas Cefës, kemi të bëjmë edhe me një traditë jo të mirë të trashëguar nga sistemi komunist. “Procedura e oborreve në përdorim ecën kënaqshëm megjithëse ka shumë vështirësi. Vështirësitë kryesore janë në pasqyrimin në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të akteve dhe veprimeve juridike në kohët e mëparshme mbi pronën. Duke qenë se edhe në sistemin komunist nuk ka pasur një praktikë të unifikuar për pasqyrimin e drejtë dhe të saktë të marrëdhënieve juridike për pronën, ka krijuar sot një vështirësi të jashtëzakonshme në trajtimin e drejtë të kërkesave të subjekteve. Megjithatë, AKKP-ja me të gjitha strukturat e saj po punon kënaqshëm në këtë drejtim”, - deklaroi më tej Cefa. Drejtori i AKKP-së u ka bërë thirrje të interesuarve, që të aplikojnë sa më shpejt për njohjen e oborrit në përdorim, ndonëse vendimi nuk ka një afat për këtë. Oborret në përdorim janë ato sipërfaqe toke, në pronësi shtetërore, në funksion të një ndërtimi të ligjshëm ose në posedim të qetë dhe pa ndërprerje të pronarit të ndërtimit. Kjo sipërfaqe toke përfshin tokën nën ndërtim dhe sipas rastit, tokën rreth saj. Oborret në përdorim tjetërsohen vetëm në rast se brenda tyre ose në lidhje funksionale me to gjendet ndërtim, është e regjistruar në regjistrat e ZRPP-së, në pronësi të kërkuesit, në rast se problemi është ngritur para datës 10.08.1991 ose janë në pronësi të shtetit, ndonëse të paregjistruara si të tilla, por të patransferuara në inventarin e organeve të qeverisjes vendore. Oborret në përdorim tjetërsohen pa kundërshpërblim atëherë kur e drejta e pronësisë mbi këto sipërfaqe është hequr për shkak të ligjeve të kohës pa kompensim dhe me kundërshpërblim në rastet e tjera. Në rastet e tjera, kur mund të ketë përfitim oborri në përdorim gjatë kohës së diktaturës, çdo sipërfaqe e tepërt mbi vendimin e kohës, do të paguhet me vlerë tregu. Verifikimi i kushteve bëhet mbi bazën e dokumentacionit provues të paraqitur nga kërkuesi dhe nëpërmjet inspektimit në terren nga ana e punonjësve të zyrës rajonale. Në përfundim të shqyrtimit dhe gjithmonë brenda afatit 30-ditor, zyra rajonale ia përcjell dosjen zyrës qendrore të AKKP-së, së bashku me vlerësimin ligjor. Zyra qendrore e AKKP-së, brenda 10 ditëve nga mbërritja e dosjes, verifikon zbatimin e përpiktë të kërkesave të këtij vendimi nga ana e zyrës së AKKP-së në qark, bazuar në aktet e mbledhura në dosje dhe pa kryer vetë veprime verifikuese. Drejtori i përgjithshëm i AKKP-së vendos kalimin e pronësisë së oborrit në përdorim brenda 10 ditëve nga mbërritja e mandatit që vërteton pagimin e çmimit, në rastin e tjetërsimit me kundërshpërblim.

Legalizimet, hyrja në fuqi e ligjit do kompensojë 2 mijë pronarë

Hyrja në fuqi e ligjit të miratuar nga Kuvendi për disa ndryshime në ligjin e legalizimeve, do të bëjë të mundur që 2 mijë pronarë tokash që u janë zënë nga ndërtimet pa leje të kompensohen menjëherë financiarisht. ALUIZNI ka bërë me dije se deri tani janë 2 mijë ish-pronarë, që emrat e tyre kanë kaluar nga Këshilli i Ministrave. Nga ana tjetër, edhe fondi për ta është gati. Procesi i legalizimit ka bërë të mundur që të mblidhen më shumë se 2.5 miliardë lekë nga procesi, nga të cilat gjysma e tyre do të përdoren për kompensimin e pronarëve të tokave. Është vendosur që 1.2 miliard lekë të shpenzohen për kompensimin e pronarëve të tokave. Paratë e tjera do të përdoren për urbanizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës të zonave informale. Nga ana tjetër, ata që kanë ndërtime pa leje dhe që lejohen nga ligji për të paguar tarifat sipas ligjit me bono privatizimi, duhet të bëjnë një kërkesë në Agjencinë e Legalizimeve. Kjo kërkesë duhet bërë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Aktualisht, rreth 70 për qind e qytetarëve që kanë marrë lejen e legalizimit e kanë paguar detyrimin financiar, por në rast se ata disponojnë bono privatizimi, qeveria do t’u kthejë lekët. Kjo do të thotë që ata që e kanë paguar tashmë shtëpinë e tyre me letra me vlerë, mund të tërheqin paratë e dhëna për ALUZINI-n për t’i shkëmbyer me letra me vlerë. “Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit, personat duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t, brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, - thuhet në projektligjin e qeverisë që pritet të miratohet javën e ardhshme në qeveri.

Kompensimi, 1.2 miliard lekë për ish-pronarët

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të shpallë fituesit e kompensimit financiar në datën 15 nëntor, ku pritet të përfitojë një numër rekord ish-pronarësh për shkak se fondi është dyfishuar. “Ne administruam fillimisht 510 kërkesa. Nëse ishim të gatshëm, shpallnim fituesit më 15 nëntor me 600 milionë lekëshin dhe fituesit do të ishin rreth 100 deri në 120. Me dyfishimin e fondit, na del e nevojshme në kërkimin e pjesës tjetër të kërkesave të subjekteve aplikues për të seleksionuar fituesit për të harxhuar të gjithë fondin. Subjektet fitues nuk do të jenë më tashmë 100 apo 120, por do të jenë më shumë ose ndoshta dyfish”, - është shprehur drejtori i AKKP-së, Elvis Cefa. Në garën për fitimin e kompensimit financiar janë 521 ish-pronarë tokash, por AKKP-ja po shqyrton kërkesa të tjera. Në fondin prej 1.2 miliard lekësh do të përfitojnë ata ish-pronarë që plotësojnë kriteret në bazë të ligjit. Vitin e kaluar fituan rreth 160 persona dhe pritet një shifër më e lartë për këtë vit, pasi ka mbi 1 milion dollarë fond më shumë. Agjencia e Kthimit të Kompensimit të Pronave mbylli aplikimin për kompensimin financiar të ish-pronarëve për vitin 2009 dhe është në fazën e shqyrtimit një për një të të gjitha dosjeve. Në këtë aplikim janë kualifikuar 521 ish-pronarë, ose rreth 220 më pak kërkesa se në vitin e kaluar, kjo për shkak se AKKP-ja ka prurë vetëm kërkesat e plota. Sipas drejtorit Elvis Cefa, kërkesat fituese do të shpallen me vendimin më të vjetër. Pra ky do të jetë kriteri kryesor i fitimit të kompensimit financiar deri në 200 metra katrorë. Sa më i vjetër të jetë vendimi për pronën, aq më i favorizuar do të jetë një subjekt për të përfituar nga fondi prej 6 milionë dollarësh. Të gjitha dosjet dhe praktikat përkatëse të aplikimeve do dërgohen ose janë dërguar nga agjencia qendrore e kthimit dhe kompensimit të pronave në zyrat rajonale në qarqe, në mënyrë që të bëhen të gjitha verifikimet e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet kërkuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›