E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hyn në fuqi marrëveshja, hiqen vizat me Bosnjën

 

Ministria e Jashtme bëri të ditur dje se nga 1 nëntori ka hyrë në fuqi marrëveshja me Bosnjën për heqjen e vizave mes dy vendeve. Këtë e bëri të ditur dje zëdhënësi i kësaj ministrie, Ralf Gjoni në një konferencë për shtyp, teksa saktësoi edhe disa nga kushtet e kësaj marrëveshje. “Kjo marrëveshje siguron përjashtimin nga detyrimi i vizës për të gjithë shtetasit e të dy vendeve, të cilët janë mbajtës të pasaportave të zakonshme dhe dëshirojnë të hyjnë, të tranzitojnë ose të qëndrojnë në territorin e secilit vend. Afati i qëndrimit nuk duhet t’i kalojë 90 ditët (3 muaj) brenda një afati prej 180 ditësh (6 muaj), sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, tha Gjoni. I pyetur për heqjen e vizave me vendet e tjera të rajonit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme bëri të ditur se së shpejti do të nisin negociatat edhe me Serbinë, vendi i vetëm me të cilin ne nuk kemi një marrëveshje për heqjen e vizave. “Ndërkohë për sa i përket Serbisë, po punohet për fillimin e negociatave midis dy vendeve për të arritur të njëjtat kushte siç i kemi edhe me vendet që përmenda më lart. Sigurisht që ne jemi të hapur që të fillojmë negociatat shumë shpejt dhe t’i mundësojmë qytetarëve të së dy vendeve lëvizjen e lirë, ashtu siç jemi të hapur të rrisim bashkëpunimin edhe në fusha të tjera”, tha më tej Gjoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›