Beja: Asnjë mësues nuk do largohet nga puna
“Asnjë arsimtar nuk do të largohet nga puna e nuk është nxjerrë në dispozicion. Urdhri i Ministrisë së Arsimit është i keqinterpretuar”. Këtë deklaratë bëri dje ministri i Arsimit Fatos Bjea. Edhe pse disa ditë më parë Sindikata e Arsimit të Shqipërisë bëri publik udhëzimin për largimin e tre mijë mësuesve, ministri nënvizoi se nuk ka asnjë vendim, që do të largojë arsimtarët me kontratë me një afat të caktuar. I vetmi vendim i Këshillit të Ministrave ka qenë për të gjithë mësuesit e sistemit parauniversitar që kanë qenë në listën e pritjes. Për këta mësues do të përcaktohen orët në bazë të nevojave që mund të kenë shkollat e sistemit parauniversitar. “Të gjithë arsimtarët që kanë qenë pjesë e sistemit me emërime definitive kanë qenë, janë dhe nuk kanë lidhje fare me këtë dukuri. Nuk është marrë asnjë vendim për t’i larguar, nuk është larguar asnjë, nuk do të largoj asnjë sepse ishin orët dhe orët janë të nxënësve. Nxënësit kanë pasur mësuesit në klasë dhe duhet të kenë mësuesit në klasë”, tha Beja. Ai shtoi se të gjithë arsimtarët që kanë qenë pjesë e sistemit me emërim definitiv kanë qenë dhe janë pjesë e sistemit dhe nuk kanë pasur fare lidhje me dukurinë për të cilën ju folët. Kështu që edhe fjala e përfaqësuesit të sindikatës ka qenë tërësisht e instrumentalizuar. Këto deklarata kreu i Arsimit i bëri gjatë një ceremonie ku ka takuar fituesen e Festivalit Ndërkombëtar për Fëmijë, Aurora Kapo dhe fituesin e medaljes së artë për gjimnazet gjatë vitit 2008, Indrit Sokoli.