E Diel, 1 Nëntor 2026

Soc-politika, nën refrenin: “Arta Dade, hap kutitë ose largohu nga Hakmarrja...”

Partia Socialiste po numëron mbrapsht ditët kur do të dalë përsëri në shesh në protesta, “sepse qeverisë nuk i mbetet shumë kohë”. Kur koha të mbarojë - sipas PS - protesta do fillojë. Një kor tepër bajat që siç duket 6 muaj bojkot nuk i paskan mjaftuar opozitës socialiste për të kuptuar sajesën e autorizuar që kishte vetëbesuar. Kurse me një tjetër gjetje të paprecedentë është njoftuar ora e protestave, e cila natyrisht është fiksuar në sahatin e Bashkisë së sheikut Rama, çka tregon një tjetër autogol në kampionatin e miopisë politike.

Në renditje të pëlqimit ndërqytetar, skuadra soc-komuniste edviniane është në fund të klasifikimit. Opozita ka nevojë për një turn-over intelektual, pasi fosili i diktaturës Gramoz Ruçi dhe një shpurë eunukësh partiakë nuk mund të fitojnë asnjë betejë, qoftë kjo edhe politike. Edhe Arta Dade në pasarelën e saj për shtyp nuk shkon përtej klishesë së “kërcënimeve” dhe fletë-thirrjeve për reflektim. Në mungesë të refleksioneve të Edi Ramës në treg, një valë tjetër konsumatorësh soc-komunistë pritet të dalë në shesh për t’i bërë mortin qeverisë. Sepse në parim, këtë ka si qëllim vendimi i fundit i PS për të alternuar devizat e protestës, çka ka sjellë kërcënimin ultimativ dhe numërimin kronometrik të tyre ndaj qeverisë “Berisha2”.

Afërmendsh duhet një guxim i madh për të kërcënuar demokracinë dhe institucionet e saj, por delegimi i naivitetit me shumicë në akt-paditë e deputetes Arta Dade-Dabulla bën të mundur kapërcimin e çdo lloj logjike qytetare. Ajo i bën thirrje kryeministrit Berisha të dëgjojë zërin e popullit opozitar sikur të ishte një këngë shumëdimensionale, edhe duhet konstatuar se retorika zyrtare e PS ka brenda refrenin e “kutive” si lajtmotiv.

Mjerisht opozita shqiptare trafikohet mediatikisht nga politikanë që kanë lidhje shpirtërore apo/dhe miqësore me eksponentë të malavitës. Për të dhënë një shembull klasik, risjellin një politikane klasike si Arta Dade-Dabulla që nëpërmjet djalit të saj, Alban Dabulla, ka korrespondencë me kreu e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”. Në më pak së një muaj më parë Alban Dabulla, korrier i personalizuar i Orik Shytit, i niste këtij të fundit kuti drejt Zvicrës. E vërteta është e hidhur nganjëherë, por është e vërtetë. Nuk ke çfarë i bën.

Gjithsesi është anormale që në politikën shqiptare të mos ketë një moral të ndarë nga ajo që thua publikisht me atë që bën tinëzisht. Sepse interferenca personale dhe ajo politike kanë rëndësi dhe përgjegjësi për opinionin publik. Sepse këtë bën Arta Dade-Dabulla kur i lejon të birit të saj të dërgojë pa të keq kuti apo koli terroristëve që kërkohen nga drejtësia shqiptare. Veçse ky është kompleksi i Ponc Pilati që ngërthen ata që lajnë duart nga “sjelljet kriminale dhe personale”, duke paragjykuar njëherë dialogun parlamentar.

Deputetja Arta Dade-Dabulla duhet të pranojë lidhjet që familja e saj gjenetike dhe politike ka me organizatat kriminale në vend dhe jashtë Shqipërisë, qoftë kjo në nivel miqësie personale. Në fillim transparenca duhet të fillojë nga vetja, nga anët e errëta që fëmijët tanë kanë dhe kanë pasur me elementë që pastaj janë shfaqur terroristë, kontrabandistë, trafikantë, vrasës, grabitës etj. Kërko transparencë, por bëj njëherë vetë transparencë në shtëpinë gjenetike dhe politike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›