E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Kredia nuk po shkon te biznesi

Ministri i Financave,
Ridvan Bode, ka
pranuar se biznesi
nuk po merr kredi sa
duhet për të zgjeruar aktivitetin e
tij. Ndërkohë që ritmet e rritjes së
kredidhënies në vendin tonë kanë
qenë impresionuese rreth 70 për
qind në vit, kreditimi i sektorit privat
kundrejt Produktit të Brendshëm
Bruto mbetet në nivele
modeste krahasuar me vendet e
tjera të rajonit. Sektori financiar në
Shqipëri është një nga degët kryesore,
asetet totale të të cilit përbëjnë
40% të PBB-së, megjithatë vlen për
t‘u theksuar fakti që bankat dhe institucionet
e tjera financiare preferojnë
t‘i investojnë paratë e tyre
kryesisht në bono thesari dhe asete
të tjera likuide, ndërkohë që kreditimi
i sektorit privat mbetet përsëri
në nivele të ulëta. Biznesi shqiptar
financon vetëm 13 për qind të aktivitetit
të tij me fonde të siguruara
nga kreditë, ndërkohë që pjesa
tjetër është me vetëfinancim. "Kjo
tregon mbështetjen e fortë të kompanive
shqiptare në financimin
e brendshëm, i cili kufizon aftësinë
e tyre në procesin e investimeve të
reja. Përveç faktit që firmat shqiptare
mbështeten kryesisht mbi
financimin e brendshëm më
shumë se çdo vend tjetër i rajonit,
ato përfitojnë për nevojat e kredimarrjes
rreth 38% më pak se sa homologet
e tyre në rajon", tha Bode.
Por një tjetër anë problematike e
kreditimit është edhe ajo që ka të
bëjë me shpërndarjen e saj. Të
dhënat zyrtare në vendin tonë tregojnë
për një përqendrim të theksuar
në kompanitë e mëdha shqiptare
dhe në sektorë të caktuar
të ekonomisë, ndërkohë që kredia
për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme,
si dhe ajo për agrobiznesin dhe
bujqësinë, janë në nivele shumë të
ulëta. "Rritja e aksesit në kreditim
e ndërmarrjeve të vogla dhe atyre
rurale mendohet të jetë thelbësore
në një periudhë afatmesme, duke
pasur parasysh se sektorët e turizmit
dhe të bujqësisë do të jenë nga
burimet kryesore të rritjes
ekonomike në vendin tonë", tha
Bode. Por pikërisht bujqësia është
sektori më pak i kredituar në vendin
tonë. Qeveria nga ana tjetër ka
hequr çdo formë subvencionimi për
këtë sektor, në një kohë që për
bujqësinë mungojnë edhe
mundësitë e kreditimit nga ana e
bankave. Kredia e dhënë për sektorin
bujqësor nga ana e bankave
nuk zë as 1% të totalit të kredisë,
ndërsa interesat e kredive të aplikuara
nga një pjesë e institucioneve
të mikrokredisë për fermerët
shkojnë mbi 30%.
Bie kredia për
investime
Sipas të dhënave të fundit të
Bankës së Shqipërisë, niveli i investimeve
të biznesit në teknologji, si
shpresa e fundit për të ulur kostot e
prodhimit e bashkë me to edhe
çmimet, ka rënë ndjeshëm, nga 59
për qind në tremujorin e parë të
këtij viti, në 36 për qind në tremujorin
e tretë, duke qenë niveli më i
ulët historik. Kjo situatë komentohet
me shqetësim nga ekspertët.
Ata thonë se treguesi i rënies së kredisë
për investime është një sinjal
që paralajmëron rënie të ritmit të
ekonomisë dhe kërcënim për papunësi.
Aktualisht sipërmarrjet po
marrin borxh në banka vetëm për të
përballuar nevojat momentale për
para në formën e kapitalit qarkullues
dhe kanë kufizuar investimet e
reja. Sipas Bankës së Shqipërisë, dinamika
e këtij portofoli nxjerr në
pah se në ndryshim nga tremujori i
parë i vitit, ku kreditimi i bizneseve
u karakterizua nga rritje të kredisë
për investime në makineri dhe pasuri
të paluajtshme, në tremujorin
e dytë dhe atë të tretë zgjerimi i
kërkesës së bizneseve për kredi u
fokusua në mbulimin e nevojave
për likuiditet që përfshin kredia
për overdraft dhe kapital qarkullues.
"Vështirësitë e shfaqura në
aktivitetin ekonomik të bizneseve,
si pasojë e mungesës së furnizimit
me energji gjatë verës, mendohet
të kenë nxitur kërkesën për fonde
afatshkurtra", thuhet në raportin
e bankës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›