E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Bulqizë, pritet raporti nga Tirana

Mbetet ende mister krimi i ndodhur mëngjesin e së dielës në qytetin e Bulqizës, ku brenda një banese në lagjen "Gjeologu", u gjetën të vrarë me armë zjarri Bledart dhe Ariola Bilali, 28 dhe 24 vjeç nga qyteti i Shkodrës. Policia ende nuk ka dhënë një variant zyrtar të ngjarjes, ndërkohë që pritet përfundimi i ekspertizës mjekoligjore të trupit të 24-vjeçares, që do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes. Deri më tani versioni zyrtar paraprak i policisë, është bazuar në dëshminë e Olsi Mujës, i afërm i Bledart Bilalit, i vetmi dëshmitar okular i kësaj ngjarjeje. Në deponimin e tij në polici ai ka pohuar se ai ishte mik i çiftit dhe se ishte zgjuar nga gjumi nga dy krisma armësh. Ai ka rrëfyer më pas se si kishte parë Bledartin të pajetë, mbuluar me gjak në shtratin e gjumit dhe Ariolën që ka qëlluar veten me një plumb të vetëm në gojë. Ndërkohë, mësohet se hetimet po zhvillohen në tri pista, konflikt brenda familjes, hakmarrje dhe ekzekutim për para. Pista e parë bazohet në një grindje të mundshme brenda çiftit të ri, pas së cilës gruaja ka vrarë të shoqin dhe më pas është vetëvrarë me një plumb të vetëm. Ndërsa pista e hakmarrjes lidhet me një ngjarje të ndodhur në vendlindjen e Bledarit, në Shkodër, ku rreth një vit më parë ai kishte plagosur një qytetar. Frika e hakmarrjes kishte bërë që çifti të vendosej në Bulqizë, ku 28-vjeçari punonte në një aktivitet privat me stoqet e kromit. Me këtë të fundit lidhet dhe pista e tretë e hetimit. Një natë më parë ai kishte shitur një sasi të konsiderueshme minerali, çka ka zgjuar dyshimet se ai mund të jetë vrarë për para.

Hy.Li.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›