E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen me drogë Lazarati vëllezërit tropojanë

Trafikonin dhe tregtonin lëndë narkotike në Gjirokastër, prangosen në flagrancë dy vëllezër tropojanë. Burimi i marijuanës ishte fshati Lazarat dhe kishte për destinacion tregun e brendshëm të qytetit, ndërsa një pjesë përfundonte në Greqi, ku shkonte e presuar dhe paketuar. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër bëjnë të ditur se arrestimi i dy vëllezërve Edmond dhe Xhevair Doçi, përkatësisht 26 dhe 24 vjeç, me banim të përkohshëm në lagjen "Dunavat", është bërë gjatë mbrëmjes të së dielës. Ndalimi i tyre është bërë pasi gjatë kontrollit në banesë u janë gjetur 30 kg marijuanë dhe një armë automatike, e tipit kallashnikov. Operacioni për arrestimin e dy vëllezërve trafikantë është kryer nga ana e specialistëve të sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, pas informacionit të marrë në rrugë operative se në një banesë në lagjen "Dunavat i Dytë" të qytetit Gjirokastër, dyshohej se ndodhej një sasi lënde narkotike. Menjëherë pas sinjalizimit, oficerët dhe agjentët e policisë kanë rrethuar zonën, duke e mbajtur banesën nën vëzhgim deri në mbërritjen e të zotëve të shtëpisë. Pa e ditur se ishin të rrethuar dhe nën vëzhgimin e rreptë policor, rreth orës 19:00 të së dielës dy vëllezërit Doçi janë futur në banesë. Menjëherë agjentët e antidrogës kanë ndaluar të dyshuarit si trafikantë dhe kanë ushtuar kontroll në banesën të cilën e kishin marrë me qira prej pak kohësh.

Burime zyrtare të policisë thanë për "Shqip" se nga kontrolli ka rezultuar se në katin e dytë dhe në bodrumin e ambientit të marrë me qira, Doçët kishin fshehur lëndë narkotike, e cila dyshohet të jetë e llojit marijuanë, ku një pjesë ishte e bërë gati për paketim dhe trafikim, ndërkohë që është gjetur një sasi e përzier me duhan për t‘u shitur në formën e cigareve. Nga kontrolli i mëtejshëm rezultoi se në dritaren e tualetit të shtëpisë, ndodhej një armë zjarri automatike model 56, tip Kallashnikov, së bashku me një karikator të mbushur me fishekë. Nga veprimet e para hetimore të policisë kriminale dhe asaj antitrafik rezultoi se sasia e lëndës narkotike ishte blerë në fshatin Lazarat për t‘u trafikuar jashtë, ndërsa një pjesë për t‘u shitur në doza të vogla përdoruesve të ndryshëm të lëndëve narkotike në Gjirokastër. Ndaj dy tropojanëve rëndojnë akuzat për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe për armëmbajtje pa leje. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit, policia po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe lidhjet e tjera të trafikut, nëse vëllezërit kishin bashkëpunëtorë të tjerë brenda dhe jashtë vendit. Burimet e policisë kanë saktësuar se lënda narkotike pas peshimit të saktë do të sekuestrohet në cilësinë e provës materiale dhe materialet do t‘i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

En.Se.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›