E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porosia e një fushate mediatike

"A do ta ndërrojmë Beogradin me Brukselin?", - ishte porosia e një billboardi që e pashë javën që shkoi, në qendër të Podgoricës. Prit, mendova me vete, a po e krahasojnë këta Bashkimin Evropian me Beogradin dhe Serbinë në periudhat që për fat të mirë, i kaluan përgjithmonë. Po, ishte kjo. Brukseli po krahasohej me Beogradin.

Tani është trendi të jesh lobist antievropian. Kur them antievropian, mendoj të bësh lobim kundër hyrjes në Bashkësinë Evropiane. Besoj se secili prej nesh, kur thotë BE mendon Evropa Perëndimore dhe anasjelltas, jo vetëm për shkak se shtetet perëndimore e iniciuan një ide të mrekullueshme, e cila në fillim e ka pasur rolin e koordinimit në fushën e ekonomisë, e pastaj është zgjeruar edhe në fusha (dhe shtete) të tjera.

Lobimi antievropian është bërë edhe më trendi pasi që Irlanda i ka thënë "Jo" BE-së. Por, ta krahasosh Irlandën ose cilindo shtet të Evropës Perëndimore me cilindo shtet të Ballkanit, është një nonsens, sepse dihet se deri para disa vitesh, tërë Ballkani ka qenë jashtë të gjitha rrjedhave bashkëkohore, ndërsa fjala "demokraci" nuk është ditur as çfarë kuptimi ka, se lëre më të dihej se çfarë përfshinte.

Nuk dua të shtroj pyetjen se a krahasohen Beogradi dhe Brukseli, sepse pyetja do të dukej e pagdhendur. Nuk krahasohen regjimet totalitariste beogradase me demokracinë qytetare. Por, ç’është e vërteta, më duhet të konstatoj me ironi se as regjimet beogradase nuk kanë qenë identike për të gjitha kombet që kanë pasur fatkeqësinë të jenë të futura me dhunë në "burgun e popujve", siç mund të cilësohej ish-Jugosllavia, si ajo e periudhës mbretërore, ashtu edhe ajo titiste. Të mos flitet për atë të Millosheviçit. Në këtë shtet, për të cilin vuajnë jugonostalgjikët, burgjet janë mbushur me disa kombe, ndër të cilët, sipas statistikave të asaj kohe, ka pasur më së shumti shqiptarë dhe kroatë. Ndërsa, disa të tjerë kanë bërë flirt, mund të thuhet, edhe se kanë jetuar në dashuri me Beogradin. Tani, kur ka marrë fund kjo ëndërr e keqe, fati është se jemi detyruar (për fat të mirë) të futemi në tren për Bruksel, i cili do të na çojë jo vetëm deri në BE, por edhe në NATO.

Më duket se disa i zë sëmundja e vonuar e anarkizmit. Ose, edhe më keq, sëmundja e filozofisë hipie, të jesh kundër çdo gjëje vetëm që të jesh kundër. Por, kjo erdhi tepër vonë. Derisa bota qytetare e ka kaluar këtë fazë atëherë kur ka qenë koha, nga fundi i viteve 60, duke e jetuar filozofinë sex, drugs end rock’n’roll, ballkanasit kanë qenë, së paku shumica e tyre, nxënës të dëgjueshëm në bankat e shkollës së komunizmit.

Në fund të shek. XIX ka ekzistuar një drejtim në letërsi i cili quhej Art for art sake. Kështu po ndodh edhe me lobimin antievropian: Protesto vetëm për të protestuar. Të jesh kundër Brukselit, BE-së dhe NATO-s vetëm pse dikujt kjo gjë i duket trendi? Jo, faleminderit!

Është mirë që me faktin se Kosova është bërë shtet i pavarur, janë zhdukur gjurmët e fundit të shtetit artificial Jugosllavi dhe gjurmët e çdo gjëje që ka pasur pretekst jugosllav, qoftë edhe ajo formale, siç ishte vetë emri i shtetit dhe nocioneve të dala nga ai emër, sepse ky projekt serbomadh ka qenë i dënuar që në fillim të dështojë.

Është gjë e qartë se kjo pjesë e Ballkanit vuan nga ajo që e karakterizon mendësinë e racës dinarike - të jesh kundër gjithkujt, në çdo kohë dhe me çdo kusht, sepse askush nuk ka të drejtë përveç teje. Nëse nuk ke kundërshtarë, nuk përjashtohet mundësia që të kthehesh edhe kundër vetvetes?

Sikur në një jingle të animuar të MTV-së, ku goja e njeriut bëhet aq e madhe sa që më në fund, pak nga pak, e kapërdin vetveten.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›