E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shkruash për Luarasin duhet të kesh larë gojën

Në Kolonjë, sipas një gojëdhëne, Luarasi, krahasuar me fshatrat e tjerë quhet: Sofra e Parë. Këtu nuk dua të lë pa përmendur qytezën e F. Nolit, Butkën e Sali Kapedanit, Starjen e Ypeve, Novoselën e Sefi Vllamasit, Prodanin e Zalos dhe as Podën e Zylyftar Mustaqeverdhit...

Por duke iu referuar arkeologut të mirënjohur kolonjar, prof. dr. Skënder Aliut, në Luaras zbulimet arkeologjike dëshmojnë për lashtësinë autoktone të këtij fshati. Tumat ilire të Luarasit që ndodhen mbi shpatet veriore, përfund fshatit Çlirim (Shënmërtir) e që përfundojnë në lagjen Zizkollarë, kufi me fshatin Blush janë regjistruar mbi dhjetë të tilla. Po kështu me dhjetëra të tjera janë regjistruar në platformën e sheshit të Pradellës, ku gjatë gërmimeve dyvjeçare janë fiksuar 203 varre ilire së bashku me 350 objekte. Në Luaras janë regjistruar dy kala. Njëra te Shkëmbi i Madh e tjetra te Guri i Ninës. Luarasi në shekullin XIX mbahej si sofra e parë kolonjare edhe prej dy oxhaqeve me ofiqe nga Porta e Lartë e Stambollit, Xhafer Beu i Shkëmbit dhe Mehmet Beu i Allteneve (floririt). Periudha e Rilindjes nxori kolosë si Petro Nini Luarasi, i njohur si Mësonjës i Parë dhe martir i mësimit të gjuhës shqipe, si dhe Kristo Luarasi, që çeli të parën shtypshkronjë shqipe në Bukuresht e mandej në Tiranë. Shkolla e parë shtetërore shqipe në Luaras u çel që në vitin 1920 me mësues luaraslliun Ndrio File. Në vitin1950 aty na u hap e para shkollë (unike) 7-vjeçare me drejtor Mësuesin e Popullit, Gjini Rrapo Luarasi. Pra lindi nevoja dhe u ngrit një ndërtese dykatëshe me 9 dhoma, e cila gjendet dhe sot, mjaft e amortizuar. Në oborrin e saj qëndron madhërishëm busti i Petro Nini Luarasit. Luarasllinjtë janë arsimdashës dhe të urtë dhe në vitin e mbrapshtë 1997 e ruajtën me fanatizëm shkollën e bustin e Petros që u mësoi gjyshërve të tyre alfabetin e Kongresit të Manastirit. Pra, ka gabuar gazetari i ri në moshë e profesion, Artur Ajazi, që në shkrimin e tij botuar po në gazetën prestigjioze “Standard” në muajin janar të këtij viti ku thoshte se fshati i Petro Ninit është pa shkollë. E vërteta është se aty janë mbi 30 nxënës dhe japin mësim tre arsimtarë, dy prej të cilëve nga Luarasi. Nazmi Lico si nëndrejtor është një mësues me një eksperiencë mbi 30-vjeçare, si dhe një vajzë mësuese e matematikes, që ka mbaruar shkëlqeshëm Universitetin “Fan Noli” të Korçës. Nuk dua të polemizoj me gazetarin e ri Artur Ajazi. Por e vërteta duhet thënë siç duhet dhe faktet merren nga njerëz të gjallë e jo nga Sotiri që ka më se dhjetë vjet që ka vdekur e është bërë për rahmet. Do ta këshilloja si bashkëfshatar gazetarin që përmenda më sipër: “Të mos jetë konktradiktor në mendimet e tij. Thotë se shkolla u shkatërrua që nga themelet në vitin 1997 dhe na i paskësh mbyllur ministri Pollo që ishte ministër në vitet 2005-2008. Bashkëfshatarit tim, gazetarit të ri, do t’i thosha se po të ishte katandisur Luarasi pa shkollë, do ta kishte ngritur zërin i pari akademiku i madh, eruditi i urtë, babaxhan dhe i mençur prof. dr. Aleks Luarasi, që drejton Universitetin Juridik “Luarasi” në Tiranë.

E vërteta është se Luarasi, nga 200 shtëpi me 11 lagje, sot ka mbetur me 23 të tilla. Kjo, për shkak të tranzicionit të proceseve demokratike. Por ata pak që kanë mbetur aty jetojnë si jo më mirë. E për të ruajtur madhështinë historike, kulturore, e patriotike të Sofrës së Parë të Kolonjës, Luarasit tonë ka një vit që me vendimin nr. 8781, datë 03. 05. 07 u miratua “Shoqata Kulturore - Patriotike Luarasi Sofra e Parë”. Shoqata ende është në hapat e para. Por luarasllinjtë të gjithë në një mendje, të kudondodhur në Kolonjë, Korçë, Tiranë e më tej, e duan Luarasin si një destinacion turistik. Janë disa luarasllinj tashmë të larguar, që mendojnë të kthejnë vështrimin drejt vendlindjes së tyre, të ristrukturojnë shtëpitë e të parëve të tyre që mundësisht çdo vit të kthehen të kalojnë ca ditë të pushimeve aty, në Luaras. Shembullin e ka dhëne i pari kryetari i shoqatës, djaloshi i ri Altin Dauti. Ai në “portën hyrëse” të Luarasit në vendin e quajtur Mbllato ka ndërtuar një vilë, si dhe një lokal të bukur ku serviret peshk i freskët që merret nga rezervuari buzë lumit Osum. Në këtë rast do të ftoja edhe gazetarin tonë të ri Artur Ajazi të afrohet në shoqatën “Luarasi” të vejë të shohë vendlindjen e të parëve të tij. E pse jo të japë kontributin e tij. Kështu, do të rritë autoritetin e besimin tek bashkëfshataret. E që Luarasi të mbetet Sofra e Parë edhe për brezat pas nesh.

Fatmir Luarasi

Sekretar i shoqatës “Luarasi”

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›