E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porta e mbyllur, hetime edhe tek ambasadat

Sekserët dhe noterët dyshohet se bashkëpunonin me punonjës të përfaqësive diplomatike për noterizimin e dokumenteve pa praninë e personave

Policia dhe njësia Task Forcë në Tiranë dyshojnë se të arrestuarit e operacionit “Porta e mbyllur” bashkëpunonin me punonjës të ambasadave të huaja të akredituara në Tiranë për të mundësuar dorëzimin e dokumenteve për shkollë të personave që nuk ndodheshin në Shqipëri. Një skemë e mirëfilltë falsifikimi dhe mashtrimi është zbuluar nga njësitë operacionale të krimit ekonomiko-financiar, duke prangosur pesë persona dhe vënë nën hetim dhjetëra të tjerë. Burimet nga grupi hetimor i policisë dhe prokurorisë nuk përjashtojnë se të implikuar në këtë skemë janë edhe punonjës të ambasadave të huaja, shqiptarë dhe të huaj, të cilët gëzojnë statusin e diplomatit. Megjithëse janë evidentuar disa persona të implikuar në këtë skemë, ata nuk mund të merren nën përgjegjësi penale nga pala shqiptare, pasi vepra penale ka ndodhur në një territor të huaj. Veprimtaria brenda një selie diplomatike nuk mund të hetohet nga pala shqiptare, por nga drejtësia e vendit përkatës. Si i tillë këta persona momentalisht nuk janë “prekur”, ndërsa janë në pritje të letërkëmbimit midis drejtësisë sonë dhe atyre të shteteve të huaja.

Operacioni

Pesë persona janë vënë nën akuzë nga policia dhe prokuroria, pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë siguronin dokumente të falsifikuara si leje drejtimi, diploma, dëftesa, siguracione, kryesisht për persona që kërkonin të studionin jashtë kufijve të Shqipërisë. Të hetuarit i përkthenin, i noterizonin dokumentet në kundërshtim me aktet normative që normojnë punën e tyre, pranë zyrave të noterive në Tiranë, pa qenë prezent personi, si dhe duke noterizuar e legalizuar dokumente të ndryshme. Policia thotë se ka zbuluar edhe paratë që paguheshin, të cilat varionin nga 300 euro deri në 1000 euro për një dokument. Operacioni u quajt “Porta e mbyllur” dhe pas një hetimi disamujor, në bashkëpunim me njësinë Task Forcë dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë u realizua arrestimi në flagrancë i tre shtetasve, për konsumim të veprave penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “mashtrimit në bashkëpunim dhe falsifikimit të dokumenteve”. Zyrtarisht policia tha se u vunë në pranga Nazmi Meta, 38 vjeç, Naim Gjoshi, 38 vjeç, i shoqëruar disa herë nga policia si i dyshuar për ushtrim të aktivitetit kriminal në fushën e falsifikimit të dokumenteve pranë ambasadave dhe Mariglen Nikaj, 51 vjeç, i dënuar më parë për falsifikim dokumentesh. Ndërkohë filloi hetimi në gjendje të lirë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” ndaj Pandi Priftit, me profesion noter në Tiranë dhe Shaniko Hadaj, 26 vjeçe, me profesion përkthyese e gjuhës italiane.

Hetimet

Sipas akuzës, këta shtetas e kryenin aktivitetin e tyre kriminal pranë bllokut të ambasadave dhe në zonën përreth ambasadës italiane në Tiranë. Në cilësinë e provave materiale u gjetën dhe u sekuestruan dëftesa të plotësuara, të noterizuara, leje drejtimi për persona të ndryshëm, formularë, siguracione, dokumente të ndryshme të plotësuara dhe të paplotësuara. Janë sekuestruar edhe një sërë listë notash të plotësuara. Policia tha se po vazhdon intensivisht kryerja e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Ndërkohë prokuroria po vijon për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar, duke i paraprirë një hetimi ndaj punonjësve të ambasadave, shqiptarë dhe të huaj. “Nëse ekzistojnë të gjitha provat ndaj punonjësve që punojnë pranë selive diplomatike, atëherë do të marrim kontakt me drejtësitë e secilit vend për t’u komunikuar hetimet tona. Por kurrsesi ndaj tyre nuk mund të ngrihen akuza”, thanë burimet nga policia dhe prokuroria.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›