Zhdukja e Bleonës, dosja drejt arkivimit
Ajo që u duk si një kthesë pozitive, rezulton të jetë pragu i mbylljes pa sukses të hetimeve për zhdukjen e mistershme të 6-vjeçares Bleona Mata. Burime nga policia e Kukësit bëjnë të ditur se çështja rrezikon të arkivohet, ashtu si shumë ngjarje të tjera të mbetura pa autorë apo të pazbardhura.
HetimetNjë grup ekspertësh të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që ndodhen prej tri ditësh në Kukës, kanë udhëtuar dje për herë të fundit në Zapod, duke mbyllur përfundimisht kërkimet e hapura dhe të organizuara. Grupi i prokurorëve ka vendosur të bëjë udhëtimin e fundit në shtëpinë e 6-vjeçares së zhdukur që prej datës 22 maj, ku do të pyesin edhe një herë të gjithë personat e afërm të familjes Mata, si dhe do këqyrin me imtësi vendin ku ndodhi ngjarja.
Grupi i prokurorëve të Krimeve të Rënda ka rindërtuar edhe një herë ngjarjen e datës 22 maj 2010, duke sjellë në tryezë detajet më domethënëse që mund të ndihmojnë për të gjetur të paktën pistën e saktë ku mund të ecin hetimet. Dy ditë më parë, burime nga grupi i prokurorëve thanë se “mund të kishte dritë jeshile në horizont”, që nënkuptonte se hetimet po shkonin në drejtimin e duhur. Por, sipas disa burimeve policore, tani ka mbetur vetëm pista e rrëmbimit, ku njerëzit e familjes dhe në mënyrë të veçantë pesë vajzat që e morën atë ditë në kullotë, kanë dijeni për zhdukjen e saj.
ZhdukjaPasditen e 22 majit, siç kanë treguar prindërit e Bleonës, Zamiri dhe Bukuria, por edhe gjyshërit Zeneli dhe Saidja, vajzat e rritura kanë dalë fillimisht pa Bleonën, por pas pak ka ardhur sërish në shtëpi kushërira e Zamirit, Blerina, dhe e ka thirrur vogëlushen, duke e joshur me manaferra dhe duke i thënë sigurisht që ishte edhe porosi e Alketës, hallës së Bleonës, e cila ishte një nga pesë vajzat baresha. Variantin e manaferrave e ka pohuar disa ditë pas ngjarjes gjyshja e vajzës së vogël, Saidja, e cila thotë se ka parë edhe një djalë të ri t’u shkonte pas bareshave, që janë të moshës nga 19 deri në 23 vjeçe.
Sipas tregimit të vajzave të rritura që morën Bleonën në mal me bagëti, pas një cope rruge ato janë ulur në një vend ku i kanë shtruar Bleonës një sofrabez dhe bukën që kishin marrë me vete dhe ndërsa Bleona ka nisur të hajë, ato janë shpërndarë për të mbledhur bagëtitë. Kur janë kthyer pas disa minutash, Bleona nuk ishte në vendin e mëparshëm dhe askund tjetër. Por aty ishin sandalet, xhupi dhe buka e kafshuar dhe e lënë përgjysmë.
PoliciaKëtu nis odiseja e kërkimit ku do të përfshihej edhe policia. Policia e Shtetit nisi kërkimin më intensiv që kishte ndodhur ndonjëherë në 50 vitet e fundit, duke futur në aksion qindra efektivë dhe qen, madje u kërkua ndihmë edhe nga policia e Kosovës. Për Bleonën u angazhua edhe struktura e Interpolit, fotot e vogëlushes u shpërndanë gjithandej, ndërsa media bëri që kjo çështje të merrte përmasa të jashtëzakonshme. Edhe në Parlamentin e vendit është folur për këtë, ndërsa në zonë kanë udhëtuar drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfshi drejtorin e Përgjithshëm, Hysni Burgaj, si dhe deputetë të Kuvendit.
Dje është realizuar edhe takimi i fundit me policinë e Kosovës për çështjen “Bleona”, ku ekspertë të policisë së Kosovës dhe EULEX-it kanë shkëmbyer të dhëna dhe informacione me policinë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Shqipërisë.
Tashmë, të paktën në Kukës, nuk do të ketë më grup pune që të hetojë mbi çështjen dhe kërkimet do të ndërpriten plotësisht.
#