E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokaina, Din Gjonaj kërkon dëmshpërblim për burgim të padrejtë

Padia Kërkesa në Gjykatën e Tiranës, pasi ka vuajtur 384 ditë burg më tepër sesa e parashikon Kodi Penal

Din Gjonaj, një nga personat e arrestuar gjatë operacionit “Kokaina” dhe i liruar nga burgu në vitin 2007, i drejtohet Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për dëmshpërblim, pasi pretendon se ka qëndruar në burg 384 ditë më shumë sesa ka qenë dënuar. Kërkesa është regjistruar në gjykatë dy ditë më parë me paditës Din (Mentor) Gjonaj, ndërsa të paditur janë Ministria e Financës dhe Dega e Thesarit. Lloji i çështjes është kompensim për burgim të padrejtë. Sipas Gjykatës së Tiranës, objekti i padisë është “kompensim për burgim të padrejtë për kohën prej 384 ditësh, në shumën 768000 lekë”. çështja mban numri 10654 dhe do të gjykohet nga gjyqtarja Elona Stavri. Sipas gjykatës, padia i referohet vendimit të Gjykatës së Lartë në vitin 2007, sipas të cilit Din Gjonajt iu ul rreth dy vjet burg dhe u vendos përfundimisht dënimi i tij me 7 vjet burg, maksimumi i dënimit që parashikon neni i Kodit Penal për veprën e kryer prej tij. Avokati mbrojtës i Din Gjonajt, në leximin e pretendimeve theksoi në Gjykatën e Lartë se klienti i tij ishte dënuar më shumë nga sa e parashikon neni i Kodit Penal, në bazë të të cilit ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Apelit. Më konkretisht, në vendimin më të fundit të Gjykatës së Lartë, ndaj të pandehurit Din Gjonaj është zbatuar dispozita me masën më të rëndë të dënimit, pra 9 vjet burg. Por gjatë kohës së gjykimit të tij, ligji nr. 9275, datë 16.09.2004, ka ndryshuar nenin 333, në bazë të të cilit ishte dënuar Gjonaj, duke parashikuar në paragrafin e dytë një dënim më të ulët nga 4 deri në 8 vjet burg. Pas uljes së dënimit, Gjykata e Lartë ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Din Gjonajt. Nga gjykimi që i është bërë Gjonajt ka rezultuar se ai nuk ka kryer veprime konkrete në kuadër të organizatës kriminale dhe si i tillë duhej të përfitonte nga ndryshimet e bëra në këtë nen. Gjonaj ka përfituar edhe pas interpretimit të vendimit nga Gjykata Kushtetuese, e cila vërejti vërtetësinë e pretendimeve të parashtruara nga kërkuesi, që në përgjithësi lidhen me parime të rëndësishme kushtetuese, të cilat ndikojnë në një masë të madhe në procesin e zhvilluar në gjykata. “Këto pretendime janë ngritur edhe në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, por ky kolegj, pasi ka marrë në shqyrtim rekursin në dhomën e këshillimit, ka vendosur mospranimin e tij, vendim ky që është në pajtim me kuadrin përkatës procedural penal”, thuhej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke rikthyer çështjen për shqyrtim vetëm për të pandehurin Din Gjonaj. Gjykata e Lartë, në muajin maj të vitit 2006, pas shqyrtimit të kërkesës së të pandehurve “Kokaina” vendosi që pesë të pandehurit të vuajnë dënimin me 55 vjet burg për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike. Arrestimi i Din Gjonajt është bërë më 13 mars të vitit 2001 në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›