E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet autori i plagosjes së ushtarit me pagesë

Korçë

Arrestohet nga policia me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë autori i një konflikti me armë të ndodhur në rrugën Ersekë-Korçë, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Baba Selimit”. Lajmi është bërë i ditur nga policia e Korçës, e cila tha se menjëherë pas sinjalizimit të dhënë u bë i mundur arrestimi në flagrancë për veprën penale të “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”, parashikuar nga nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Gjergji Murataj, 30 vjeç, banues në fshatin Qinam-Kolonjë. Sipas policisë, i arrestuari akuzohet se në aksin rrugor Ersekë-Korçë, në vendin e quajtur “Ura e Baba Selimit”, për motive të dobëta ka tentuar të vrasë duke qëlluar me çifte shtetasin N.P., 22 vjeç, me profesion ushtar me pagesë. Ky person ndodhet në spital i plagosur në shpatull, jashtë rrezikut për jetën. Pas hetimeve të para, policia tha se ka sekuestruar armën e zjarrit të përdorur nga autori i plagosjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›