Porti i Durrësit, përplasje e re mes bashkisë dhe Ministrisë së Mjedisit
Bashkia e Durrësit dhe Ministria e Mjedisit janë përplasur sërish dje në distancë në lidhje me portin e ri të peshkimit në qytetin bregdetar. Paraditen e djeshme, kryetari i Bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako, doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se do të vijojë të kundërshtojë ndërtimin e portit, duke kërkuar edhe referendum. Më pas, këshilltari i ministrit të Mjedisit, z. Aleksandër Garuli, reagoi ndaj deklaratave të Dakos, duke thënë se janë të pabaza dhe jorealiste.
Dako
“Bashkia e Durrësit është kundër ndërtimit të portit të peshkimit pranë shëtitores bregdetare dhe do të vazhdojmë të mbajmë këtë qëndrim për arsye se mbrojmë interesat e qytetit dhe qytetarëve të Durrësit”. Kjo ka qenë deklarata e kreut të bashkisë, Vangjush Dako, dje para medias, duke shpjeguar edhe një herë arsyet pse është kundër këtij porti në vendin e parashikuar.
Dako deklaroi: “Janë tri arsye që ne, si bashki, jemi kundër portit të ri të peshkimit. E para, mjedisi, trafiku dhe imazhi turistik i qytetit; Bashkia e Durrësit e do zhvillimin dhe kjo është arsyeja që ka paraqitur tri alternativa për vendin ku duhet ndërtuar porti, pasi në vendin ku aktualisht kërkohet për t’u ndërtuar, ne kemi projekt në perspektivë ndërtimin e një porti jahtesh që jep impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit”.
Sipas tij, zgjedhja për të realizuar një infrastrukturë industriale përgjatë shëtitores urbane pranë detit në Durrës është sigurisht joadekuate dhe për më tepër në kontrast me imazhin turistik, që në vitet e fundit qyteti ka shprehur.
Për kreun e bashkisë, Dako: “Realizimi i një infrastrukture të tillë në të vërtetë do të gjeneronte, përveç një impakti negativ viziv për ata që përdorin shëtitoren dhe një impakt akoma dhe më negativ mbi trafikun urban, sepse mjetet për transportin e peshkut do të ishin të detyruara të përshkonin rrugët e qendrës së qytetit në një kohë kur qendrat e qyteteve turistike duhen zbrazur nga trafiku për të favorizuar kushtet ambientale për turistët dhe për vetë banorët e qytetit”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve nga media, Dako tha: “Dua të precizoj që duhen njohur në mënyrë absolute vlerat ekonomike që sjell një port peshkimi, por ndoshta gjetja e një vendi alternativ për realizimin e kësaj infrastrukture do të lejonte që me një shpenzim të njëjtë të përfitoheshin benefite të dyfishta si për zhvillimin ekonomik, ashtu dhe për lënien të lira të zonave, ku sot është parashikuar porti për një përdorim më kompatibël me qendrën urbane si për shembull realizimi i një porti turistik.