Drejtoria Arsimore, anketa për kurset private
Nxënësit përgjigjen për dhunën psikologjike, japin emra konkretë mësuesish
Sarandë- Nxënësit dhe inspektorët e drejtorisë arsimore në bashkëpunim mes tyre kanë arritur rezultate të mëdha. Inspektorët grumbulluan informacion, nxënësit u përgjigjën nëpërmjet pyetësorit për dhunën psikologjike nga ana e mësuesve, si metodë për të ndjekur kurse private. Kjo në këmbim të notave të larta. Kurset private, që ishin kthyer në një epidemi të përhapur në shkolla të qytetit e të fshatit, kanë marrë një goditje të fortë. Lina Vaso, përgjegjëse e zyrës arsimore në Sarandë, thotë se tashmë është e vështirë të flitet për kurse të tilla, përveçse ndonjë formë “klandestine”, që i ka shpëtuar kontrollit shtetëror.
Sipas Vasos, udhëzimi i Ministrisë së Arsimit po gjen zbatim dhe mësuesit kanë nisur t’i përdorin kurset nga një veprimtari fitimprurëse, në shërbim të nxënësve. Ora e shtatë e mësimit është koha e kryerjes së kurseve pa pagesë.
Jo vetëm në shkollat e mesme të qytetit. “Moda” e konsultimeve private ishte hapur edhe në shkollat 9-vjeçare. Lëndët më të zakonshme ku mësuesit jepnin leksione privatisht janë matematikë, fizikës, gjuhë-letërsi, por edhe biologji, kimi.
Drejtorja thotë se këtë panoramë nuk do të mund ta përfytyronim dot, pa organizuar një anketim me këtë temë në shkolla, gjë e cila pajisi strukturat inspektuese me informacion të mjaftueshëm. Përmes përgjigjeve të anketës, nxënësit dhanë të dhënat për këto kurse. Në alternativat e tyre nuk munguan edhe citimet e emrave të mësuesve që organizonin kurse. Sipas nxënësve, nuk kanë munguar edhe rastet kur kanë qenë të detyruar të regjistrohen në kurs për shkak të dhunës psikologjike, për kushtet e vlerësimit për të marrë nota të larta. Drejtoria Arsimore sqaron se inspektorët ushtruan kontrolle në çdo shkollë derisa u krijua një tablo e qartë se në cilat lëndë organizoheshin më shumë kurse dhe shkalla e presionit për mitëmarrje.
Lidhur me këto masa, ka pasur reagime edhe nga mësuesit e shkollave. “Kjo punë pati edhe “viktimat” e veta. Nuk kishte kuptim të vazhdonim të ishim tolerantë ndaj atyre që vazhdonin të na “sfidonin” duke bërë kurse private”, sqaron Vaso. Sipas saj, për këtë arsye morën masa administrative ndaj një mësueseje matematike në gjimnazin “H.Tahsini”. Penalizmi për të ishte transferimi me punë nga qyteti në fshat.
Sakaq, sipas Drejtorisë Arsimore, në zyrat e këtij dikasteri nuk mungojnë presionet e dhjetëra mësuesve të cilëve u është prekur interesi dhe u janë reduktuar fitimet për orët e mësimit privat.
#