Tirana e ndotur, firmat e pastrimit, jashtë kontrolli
Projekti për ndërtimin e landfillit ende është në ndërtim e sipër, ndërsa koshat vazhdojnë të jenë të pamjaftueshëm dhe mbeturinat të hidhen vend e pa vend. Në gjithë këtë situatë kaotike për kryeqytetin, Bashkia e Tiranës ka lënë jashtë kontrolli firmat e pastrimit. Qytetarët mendojnë se Tirana vazhdon të jetë e ndotur edhe për shkak të mosfunksionimit të gjobave për bizneseve dhe ndotësve.
Pastrimi
Edhe pse Bashkia e Tiranës ka rritur taksën e pastrimit, si për familjarët ashtu edhe për subjektet tregtare, për të ofruar një shërbim më të mirë, qytetarët mendojnë se ky shërbim është keqësuar nga viti në vit. Sipas tyre, kjo vjen për shkak se bashkia nuk ushtron kontroll mbi firmat e pastrimit, kësaj i shtohet edhe fakti që, sipas kryeqytetasve, pastrimi bëhet i pjesshëm pasi firmat nuk kanë mjetet e duhura. Ndërsa bashkia shprehet se “menaxhimi i mbetjeve urbane konsiderohet si një nga shërbimet më të kushtueshme dhe një nga çështjet më problematike”. Mendimet janë shprehur në botimin “Transparenca 2009”, në të cilin qytetarët identifikojnë si probleme mbulimin e ulët të këtij shërbimi, për shkak se edhe mjetet dhe burimet janë të kufizuara. Ata konsiderojnë mjaft problematike mbeturinat që shpërndahen përgjatë territorit të cilat shkaktojnë probleme në mjedis dhe në vendgrumbullimet e mbeturinave shkaktojnë gjithashtu probleme mjedisore. Me gjithë përfshirjen e sektorit privat në këtë shërbim, nuk është e lehtë të përftosh variabla të matshëm që kanë të bëjnë me tregues sasiorë të mbeturinave që prodhon Tirana si qytet, të sasisë së mbeturinave që mblidhen dhe përpunohen nga firmat e pastrimit, si dhe tregues të tjerë siç janë numri zero i kazanëve për familje apo tregues për sasinë e mbeturinave të ndara në organike dhe joorganike.
Ndotësit
Ndër ndotësit më të mëdhenj të qytetit, sipas qytetarëve, janë bizneset, mungesa e koshave të plehrave, papërgjegjshmëria qytetare, kompania e pastrimit nuk bën detyrën. Në radhë të parë ata kanë renditur papërgjegjshmërinë qytetare, ku një pjesë nuk janë të ndërgjegjshëm për mbajtjen pastër të qytetit. Pasi kanë radhitur ndotësit e Tiranës, qytetarët kanë dhënë ide se si mund të eliminohet kjo ndotje. Qytetarët, gjithashtu, në këtë botim janë pyetur për masat që ata propozojnë për rritjen e efikasitetit të këtij shërbimi, në mënyrë që të kemi një qytet më të pastër. Duke vlerësuar tri masat kryesore, qytetarët mendojnë se masa më efikase është që bashkia të ushtrojë kontroll të vazhdueshëm ndaj firmave të pastrimit. Masa e dytë e vlerësuar është aplikimi i gjobave ndaj bizneseve dhe qytetarëve që kapen në kundravajtje, si dhe masa e tretë është të aplikohen taksa të diferencuara ndaj bizneseve që ndotin qytetin (restorantet, kafenetë).