Porti i Durrësit pushtohet nga anijet gjigante të luftës
• Nato “mësyn” Durrësin. Një flotë e tërë anijesh luftarake ka zbarkuar në qytetin-port me bekimin e plotë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare.DURRES/ OERD ULQINIPesë fregata të Aleancës së Atlantikut të Veriut janë ankoruar në mënyrë të befasishme në portin e Durrësit, i cili ka gdhirë i superblinduar mëngjesin e së shtunës. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që, në një port shqiptar të ankorohej një forcë e përmasave të tilla të aleancës. Ngjarja solli kërshëri të madhe në komunitet. Në të vërtetë atmosfera e militarizuar është dalluar ditë më parë, kur motovedetat e Distriktit Detar të Bisht-Pallës kryen patrullime rikonjicioni. Vizita e luftanijeve të NATO-s do të zgjasë deri më 5 mars dhe gjatë kësaj periudhe parashikohen manovra të përbashkëta me palën shqiptare. Pesë fregatat e ankoruara në Durrës, veç flamujve të aleancës valëvitnin edhe ato të vendeve që përfaqësonin si Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Turqia dhe Greqia. I gjithë operacioni i ankorimit të luftanijeve ka vijuar për më shumë se dy orë. Forca të shumta të Policisë Ushtarake shqiptare, të trupës së sigurisë portuale dhe të Policisë së Shtetit kanë formuar një brez sigurie që përfshinte kalatat dy, tre, katër dhe pesë të portit të Durrësit. Anijet e koracuara që prekën ujërat shqiptare janë të gjeneratës së fundit dhe konsiderohen si disa nga “perlat” e marinës luftarake të aleancës. Banorët e Durrësit e kanë pritur me admirim ardhjen e luftanijeve të NATO-s, duke e komentuar atë si një sinjal të qartë për stabilitet afatgjatë në Rajon. Burime nga kapitaneria e Durrësit thanë se, fregatat pasi kanë lundruar gjatë në Adriatik dhe Jon kanë njoftuar sallën operative për ankorimin 5 ditor. Kapitaneria e Durrësit ishte njoftuar pak ditë përpara shpalljes së pavarësisë së Kosovës se luftanijet e Aleancës së Atlantikut të Veriut po kryenin manovra në Adriatik, dhjetëra milje larg brigjeve të Rodonit. Kapitaneria nuk konfirmon faktin se kjo vizitë ka lidhje me sigurinë në Rajon dhe Kosovën-shtet, por u shpreh se “motivi i ardhjes së fregatave është bashkëpunimi i shkëlqyer Shqipëri-NATO dhe sinjali më i mirë i një anëtarësimi të shpejtë”. Burime të brendshme të Kapitanerisë nuk mohojnë faktin se pesë fregatat me 800 marinarë në bord kanë lidhje me zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe se ankorimi në Durrës, kryhet në kuadër të përforcimit të pozicionit të aleancës në Ballkan. Ekuipazhi mesatar i një fregate përbëhet nga 140 marinarë, mes të cilëve 10% e personave në bord kanë gradën e oficerit. Edhe më parë luftanije të NATO-s kanë prekur Durrësin, por vizitat e tyre kanë qenë të veçuara nga njëra-tjetra. Fregata britanike “Somerset”, anija tanko-zbarkuese amerikane “Shrevreport” si dhe luftanija italiane “San Giorgio”, përbëjnë disa prej vizitave më mbresëlënëse që anijet e aleancës kanë kryer në ujërat shqiptare. 3600 tonëështë pesha mesatare e një fregate, ndërsa forca e motorëve mbi 10 mijë kf, parametra të cilat i japin këtij efikasitet në goditje dhe shpejtësi marramendëse5 ditëdo të qëndrojnë në Portin e Durrësit 5 fregatat e NATO-s, të cilat do të kryejnë manovra në AdriatikEvolucioni i anijeve luftarake Fregatat janë anije të fuqishme luftarake fillesat e të cilave datojnë në shekullin e 18-të. Evolucioni i tyre është i jashtëzakonshëm, nga epoka e velave kur lëviznin me forcën e erës e deri te motorët e sotëm diezel. Aftësia e jashtëzakonshme luftarake i rendit gjithnjë fregatat në ballë të betejave detare. Në terminologjinë e marinës luftarake fregatat përcaktohen si anije shoqëruese apo patrulluese. Falë aftësive të tyre të zjarrit ato janë në gjendje të mbrojnë lundrimet e anijeve të tjera qofshin ato luftarake apo tregtare. Me modernizimin e teknologjisë luftarake ato tashmë pajisen me helikopterë, raketa tokë-ajër, bomba thellësie kundër nëndetëseve, radarë dhe artileri të fuqishme. Falë përsosjes së elektronikës fregatat e kohës moderne kapen me shumë vështirësi nga radarët.