E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngatërrojnë objektivin, vrasin gabimisht Nadir Çukun



Vritet gabimisht 41-vjeçari, policia në kërkim të autorëve të këtij ekzekutimi. Ngjashmëria në veshje, fizik dhe pamje i ka marrë jetën dy net më parë shtetasit Nadir Çuku, i cili u ekzekutua dy net më parë në Shkodër. U deshën të paktën dy orë që të identifikohej viktima, ndërkohë që më tepër u desh të zbardhej objektivi i dy vëllezërve të dyshuar për këtë krim të rëndë. Nga hetimet paraprake dhe intensive të policisë, rezultoi se objektivi i dy vëllezërve Ilir e Basri Baba ishte shtetasi N. Harusha, i cili në momentin e ngjarjes ka qenë në të njëjtin lokal me viktimën Nadir Çuku. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë Shkodër bëjnë të ditur se është bërë zbardhja dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes dhe autorë të dyshuar të saj janë shtetasit Ilir Baba, 38 vjeç dhe Basri Baba, 30 vjeç, të dy vëllezër, lindur e banues në fshatin Mjedë të Bashkisë Vau i Dejës në Shkodër, të cilët janë shpallur në kërkim dhe po bëhet e pamundura për kapjen e tyre.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur në orën 22:20 tek një lokal tek “Dugajët e reja” në rrugën këmbësore. Mësohet se dy vëllezërit Baba kanë një lokal disko rreth 100 m larg vendit të ngjarjes. Pikërisht në këtë lokal, që shërben dhe si lokal nate, dy net më parë, të dielën mbrëma, vëllezërit Baba janë konfliktuar me shtetasin N. Harusha dhe i kanë kërkuar atij të mos vinte më në atë lokal. Të hënën përsëri ka pasur një konflikt mes tyre dhe N. Harusha është larguar nga diskoja dhe ka shkuar tek lokali ku dhe ndodhi ngjarja. Aty kanë qenë dhe persona të tjerë, mes të cilëve dhe viktima. Dy vëllezërit Baba kanë shkuar tek lokali ku kishin dijeni që ndodhej N. Harusha dhe nga jashtë kanë qëlluar brenda. Ngjashmëria fizike dhe në rroba e objektivit të atentatit me viktimën ka bërë që plumbat të kapin Nadir Çukun, 41 vjeç. Në atë moment, personat e tjerë që ndodheshin në lokal janë larguar të tmerruar, ndërkohë që objektivi i vrasësve të dyshuar, N. Harusha, nuk ka mundur të marrë as mjetin e tij që ndodhi aty pranë. Mësohet se ai ka deklaruar në polici se kishte pasur konflikt me dy vëllezërit nga Mjeda dhe se ata kishin dashur ta vrisnin, madje kishin qëlluar për ta vrarë.

Ekspertiza

Sipas burimeve zyrtare policore, në vendin e ngjarjes janë gjetur 8 gëzhoja pistolete model 54 dhe tre gëzhoja pistolete model 56. Dyshohet se njëra prej armëve ka pasur silenciator. Viktima, baba i dy vajzave të mitura, nuk ka pasur asnjëherë konflikt me ndonjë person dhe rastësisht ka shkuar në lokalin ku ndodhi ngjarja. Ai është përcjellë dje për në banesën e fundit. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje janë vënë në kërkim, ndërkohë që akuza e ngritur për ta është "vrasje me paramendim e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim", "vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim" dhe "armëmbajtje pa leje".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›