Washington dhe Travolta në “Millennium”
Pas një mungese gati 2-vjeçare në ekranin e madh, dy emra të mëdhenj të Hollywood-it, kthehen në një film të vetëm. “The Taking of Pelham 123” (“Rrëmbimi i trenit Pelham 123”) sjell në Kinema “Millennium” aktorët Denzel Washington dhe John Travolta në rolet e protagonistëve. I pari është një ish drejtues i metrosë së Nju Jorkut, që pas akuzës për mitmarrje është caktuar të punojë si dispeçer në metro, ndërsa Rajder është personazhi i Travoltës, një kriminel i rafinuar që merr peng një vagon të trenit Pelham 123 me 18 udhëtarë. Në këmbim të jetës së tyre, Rajder (Ryder) dhe banda e tij i kërkojnë qytetit plot 10 milionë dollarë, brenda një ore. Në të kundërt pas këtij afati për çdo një minutë jeta e një qytetari do të merrte fund. Historia prej 105 minutash, me regji të Tony Scott, e mbushur me tension, ankth dhe luftë nervash, vjen nesër në ekranin e kinema “Millennium”. Filmi është përshtatur nga një version i vitit 1974, por prej atij viti jo vetëm që kanë ndryshuar aktorët e regjisori, por edhe shuma e parave që rrëmbyesit kërkojnë nga një milionë dollarë në ato vite, në 10 milionë dollarë. Në rolet kryesore interpretonin Walter Matthau, Robert ShaW dhe Martin Balsam, ndërsa regjisori i filmit ishte Joseph Sargent.