E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porti, rekord përpunimi i udhëtarëve dhe mjeteve

06/07/2009  Nis fluksi i mbërritjes së emigrantëve

DURRES- Vetëm 30 minuta zgjat pritja e udhëtarëve që vijnë nga portet italiane dhe përpunohen në portin e Durrësit së bashku me autoveturat e tyre. Në portin e Durrësit dje ka nisur fluksi i ardhjes së emigrantëve për sezonin e verës. Pesë tragete me mbi 4300 udhëtarë kanë mbërritur vetëm gjatë ditës së djeshme duke nisur në këtë mënyrë rritjen e ndjeshme të pasagjerëve që zbresin në qytetin-port. Fundjava është parashikuar të shënojë edhe nisjen e fluksit të ardhjes së emigrantëve tanë nga vendet e perëndimit për të kaluar në vendlindje pushimet e verës. Policia e Kufirit dhe Migracionit, efektivat e sigurisë portuale dhe dogana kanë marrë të gjitha masat për përcjelljen sa më të shpejtë të tyre. Asnjë udhëtarë që vjen në Shqipëri me autoveturë nuk detyrohet më të zbresë nga mjeti për të kaluar në pikën e kontrollit të dokumentit, pasi çdo veprim i afrohet në automjet. Kjo ka shkurtuar radhët e gjatë dhe orët pambarim të qëndrimit të diell të udhëtarëve, të cilët më së shumti janë emigrantët tanë në këtë periudhë fluksi. Në terminalin e përkohshëm të udhëtarëve ekzistojnë katër pika për vulosjen e pasaportave të udhëtarëve, një skaner i madh për bagazhet dhe një skaner tjetër ndihmës për çanta dore. Në ditët e ardhshme pritet që të rritet ndjeshëm numri i emigrantëve që kthehen në atdhe për pushimet dhe sipas parashikimeve, ky numër mund të shkojë në rreth 90-100 mijë vetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›