E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porto-Braga, finalja e Europa League

Porto dhe Braga janë finalistët e garës së dytë më prestigjioze evropiane në futboll, Europa League, pasi kanë arritur të tejkalojnë kundërshtarët e tyre respektivë të gjysmëfinales, Villarrealin dhe Benfican.

Porto u kualifikua me rezultat të përgjithshëm 7-4 pas dy ndeshjeve edhe pse pësoi disfatë në sfidën kthyese të zhvilluar në El Madrigal.

Edgar Cani kaloi në epërsi Villarrealin e pa shpresë (17’), para se edhe ato pak shpresa t`i shuajë supersulmuesi Hulk (40’) i cili barazoi rezultatin në 1-1.

Në pjesën e dytë Radamel Falcao ia garantoi Portos finalen e madhe duke e kaluar në epërsi gjigantin portugez (48’) me golin e 16-të në Europa League këtë sezon. Gjithë ajo që bëri Villarreali janë dy gola të kotë të realizuar nga Joan Capdevila (75’) dhe Giuseppe Rossi (80’).

Ndeshja përfundoi me fitore prej 3-2 për Villarrealin, mirëpo kjo nuk u mjaftoi spanjollëve për t’u kualifikuar pas debaklit të pësuar në ndeshjen e parë me rezultat 5-1 në Do Dragao.

Braga në mënyrë heroike ka arritur ta sigurojë një vend në finalen e Europa League pas fitores minimale në shtëpi ndaj Benficas në derbin portugez.

Golin e vetëm në këtë takim e realizoi Custodio Castro (19’) pas asistimit të Vianas.

Në vazhdim të takimit dominoi Braga, por pati fat në fund të takimit kur Benfica ishte shumë pranë golit që do ta siguronte kualifikimin. Me fitoren minimale të arritur në shtëpi, Braga e barazoi rezultatin e përgjithshëm pas dy ndeshjeve në 2-2, por goli i shënuar si mysafir një javë më parë bëri që Braga ta sigurojë vendin në finale.

Finalja e madhe e Europa League mes klubeve portugeze, Portos dhe Bragas zhvillohet më 19 maj në Dublin të Irlandës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›