E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porto Romano Inspektoriati Ndertimor shemb 20 objekte pa leje

Fadromat e Inpektoriatit Ndërtimor kanë nisur një aksion për prishjen e objekteve pa leje, të ndërtuara në zonën e Ish-Kënetës, të cilat janë bërë pengesë për punimet e rrugës së re Shkozet -Porto Romano, që do të lidhë superstradën Tiranë-Durrës me parkun energjitik në veri të qytetit bregdetar.

Aksioni ka nisur në afërsi të mbikalimit të Shkozetit duke shembur 20 objekte, mes të cilave edhe shtëpi banimi, objekte në proces ndërtimi si dhe objekte te tjera qe funksionin si garazhe. Ndërhyrja e Inspektoriatit Ndërtimor u kundërshtua nga dhjetëra banorë të Ish-kënetës, të cilët u mblodhën përpara fadromave të ndërtimorëve, për të mos lejuar prishjen e shtëpive. Disa prej banorëve janë konfrontuar edhe me forcat e policisë, si pasojë e së cilës është dashur ndërhyrja e forcave speciale për të larguar banorët.

Objektet ndërtimore janë bërë pengesë për përfundimin e zgjerimit dhe asfaltimit të rrugës Shkozet -Porto Romano, e cila do të jetë me 4 korsi dhe gjatësi 8.3 km me një investim te buxhetit të shtetit. Burime zyrtare nga firma ndërtuese, bënë të ditur se në dy lotet e parë me gjatësi 6.2 km me financimin afro 1.2 miliard lekë punojnë pesë firma ndërtuese, të cilat tashmë kanë shtruar thuajse plotësisht trasenë e rrugës së re, ndërsa 60 % e saj ka përfunduar së asfaltuari.

Rruga që nis nga mbikalimi i Shkozetit, 3 km larg Durrësit kalon mespërmes ish-kënetës drejt pjesës veriore të qytetit dhe ka vetëm një kryqëzim, atë me rrugën Spitallë-Shën Vlash në gjysmën e gjatësisë së saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›