Porto feston titullin
Benfika ende nuk duket në horizont, por rivalët e mëdhenj ndjejnë se po i afrohen. Porto fitoi titullin e 26-të kampion në historinë e saj, duke e fituar kampionatin portugez edhe për sezonin 2011-2012. Mbeten edhe 6 tituj të tjerë për t’u barazuar me “shqiponjat” e Lisbonës, por për momentin radhën e ka festa.
Tifozët dolën nëpër rrugë, si kudo në të gjithë botën, dhe ndezën flakë rrugët dhe sheshet e qytetit verior. Me këngë e me valle, me vegla muzikore, apo thjesht duke thirrur e duke tundur flamujt, tifozët festuan ashtu siç dinë ata.
Kishin të drejtë. Pavarësisht nëse trajner është Zhoze Murinjo, Andre Vijas Boas apo Vitor Pereira siç quhet ky i sotmi, sërish bardheblutë kanë sukses. Tetë kampionate të fituar ndër 10 të fundit e tregojnë qartë dominimin e një klubi krenaria e të cilit nuk donte t’i nënshtrohej dominimit të rivalëve kryeqytetas.
Sot, Porto ka po kaq kupa të kampionëve sa edhe Benfika, pra 2, edhe pse i ka fituar më vonë, ndërsa zotëron edhe Kupën UEFA, titull që lisbonasit nuk e kanë fituar kurrë.
Ky titull i 26-të u arrit pasi Porto fitoi të shtunën 2-0 në fushën e Maritimos, ndërsa Benfika u ndal në barazim 2-2 të dielën në fushën e Rio Aves. Kjo do të thotë 6 pikë diferencë në renditje me 2 javë të mbetura deri në përfundim. Në Portugali, titulli vendoset me ndeshjet direkte dhe Porto ka bilanc më të mirë këtë sezon me “shqiponjat”.
Skuadra ka të drejtë të jetë krenare, por ashtu presidenti Zhorge Pinto Da Kosta. Porto e tyre dominon Portugalinë që nga viti 1987 dhe ky dominim duket se do të vazhdojë.