Parashikimi i ekspertëve: Çekia fiton në EURO 2008
Specialistët e bankës zvicerane UBS kanë parashikuar se Republika Çeke do të fitojë EURO 2008, duke mundur Italinë në finale, por vetëm falë gjuajtjeve nga pika e bardhë e 11-metërshave. Analistët e Departamentit të Vlerësimit të Mirëqenies bënë të ditur se parashikimi i tyre për Zvicrën ishte një vend në gjysmëfinale, pasi organizatorët e turneut do të mundnin në çerekfinale Gjermaninë. Ndërsa vendi tjetër organizator i Evropianit, Austria, do të eliminohej që në fazën në grupe, ashtu si një prej skuadrave më të njohura, Portugalia. Ekspertët e UBS kanë përdorur një skemë matematikore, duke marrë parasysh renditjen e skuadrave, paraqitjen e tyre në evenimentet e mëparshme kontinentale dhe vlerën që merr avantazhi i fushës. Skema në fjalë rezultoi shumë e saktë në Botërorin e vitit 2006, kur UBS parashikoi se Italia do të fitonte titullin, siç ndodhi në të vërtetë, ndonëse nuk ishte parashikuar një finale ndaj Francës dhe as gjuajtjet e 11-metërshave. Megjithatë, drejtuesit e bankës zvicerane bënë të ditur se ishte shumë më e vështirë të parashikohej një turne evropian, pasi diferenca e skuadrave ishte shumë më e ekuilibruar se në një aktivitet me përmasa globale, ku marrin pjesë skuadra të niveleve të ndryshme. Sipas studimit më të fundit, një fitore e Republikës Çeke përballë Italisë ka vetëm 51% mundësi që të realizohet. Ndërkohë, kombëtarja e Zvicrës duket se ka më shumë shanse për të mundur Gjermaninë, pasi përqindja e saj aktualisht është rritur në 75%.