Portokalli turistik i Sarandës, drejt "tharjes"
Zyra e re turistike, që gjendet buzë shëtitores së Sarandës, e njohur ndryshe edhe si "portokalli turistik", prej qershorit të vitit të kaluar vazhdon të qëndrojë e mbyllur dhe e heshtur. Në harkun kohor të 300 ditëve, që kanë kaluar që atëherë, vetëm një ditë mbahet mend të jetë përdorur. Edhe atë, jo në funksionet e një zyre turistike, siç është destinacioni i përcaktuar i saj, por si një pavijon i ekspozimit dhe shitjes së luleve natyrale. Si do të vejë më tej fati i kësaj zyre, për të cilën u shpenzuan 65 milionë lekë dhe tashmë që sezoni i ri turistik do të çelet pas pak më shumë se tri javësh? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep zëvendëskryetari i Bashkisë së Sarandës, Robert Maçi, kur thotë se Portokalli për atë do të ketë po atë funksion, për të cilin është ndërtuar. "Kemi kërkesa nga privati për t‘u marrë me qira", - shprehet ai. Bëhet publike madje edhe se një prej subjekteve të interesuara ka qenë kompania "Çelësi". Mendohet se kjo zyrë do japë informacion për turistët e huaj dhe vendas e qytetarë të interesuar. Po dilema nuk është zgjidhur ende dhe këtë e shpreh edhe Maçi, kur thotë se do të shihet mundësia dhe do t‘i jepet asaj kompanie që do të paraqesë ofertën më të mirë.
Po ditët e javët ikin dhe nisja e sezonit po troket, ndërkohë që dryni nuk po shkulet nga dyert e zyrës turistike prej xhami, një zyrë që ngrihet midis ujërave dhe buzës së shëtitores së Sarandës. Qyteti i turizmit pret të promovojë më 2 maj nisjen e sezonit të ri turistik, ndërkohë që bashkia endet në kërkim të një partneri sa më të besueshëm në fushën e promocionit turistik, që pritet të bëhet administruese e Portokallit turistik.