E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Zgjedhjet, një provë kritike për të ardhmen e vendit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, John L. Withers deklaroi dje se zgjedhjet e 28 qershorit kanë një rëndësi kritike për të ardhmen e vendit. Withers, i ftuar në emisionin "Top Story" të gazetarit Sokol Balla, në "Top Channel", tha se dihet që proceset kanë qenë me probleme dhe mungesë transparence. Sipas tij, teksa Shqipëria rritet dhe hyn në skenën ndërkombëtare, i duhet të përmbushë përgjegjësi të reja që lidhen me këtë status. "Një nga këto është mbajtja e zgjedhjeve të lira, transparente dhe të ndershme. Kjo është një nga përgjegjësitë kyçe që vijnë me fitimin e statusit të të qenit vend anëtar i NATO-s", nënvizoi ai. Withers shtoi se e drejta themelore e qytetarëve për të votuar është diçka parësore në vlerësimin se zgjedhjet janë të lira e transparente. "Çdo qytetar ka të drejtë të votojë. Vota numërohet siç është dhe askujt nuk i mohohet ky vullnet", u shpreh Withers. Në këtë moment, vijoi ai, ky është objektivi që drejtuesit politikë duhet të mbajnë parasysh. "Jemi veçanërisht të shqetësuar lidhur me një grup prej rreth 700 mijë qytetarësh që ende s‘kanë pasaportë e as letërnjoftim. Është shumë e rëndësishme që këta qytetarë të jenë objektivi kryesor", insistoi Withers. I pyetur për sigurinë e kartave të identitetit, ambasadori tha se "nuk është në detyrën e komunitetit ndërkombëtar që të futet në këtë analizë të detajuar. Ekziston një sistem mekanizmash dhe të gjitha palët duhet të punojnë që të arrihet ky qëllim. Pra, mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme e transparente". Është në dorë të elitës politike në vend, u shpreh ai, që të arrijë këto objektiva duke eliminuar skenarët e këqij. "Përgjegjësia kryesore bie mbi shqiptarët dhe është momenti për t‘u përqendruar në këto objektiva. Teksa forcat politike u bashkuan për NATO-n, është e rëndësishme që kjo të ndodhë edhe për zgjedhjet", vlerësoi Withers. Nuk duhet, tha ai, që në këtë moment të arrijnë në parashikime negative, pasi ende ka kohë për të punuar forcat politike bashkërisht. Duke komentuar hetimet për çështjen e Gërdecit, Withers tha se "një shikim pa pengesa i gjithë fakteve në fund do të çojë tek e vërteta. Kjo ka qenë gjithmonë në thelbin e deklaratave të mia. Sistemi gjyqësor të ketë mundësinë të operojë i pavarur nga ndërhyrjet apo presionet politike". Këtij sistemi, vijoi ai, duhet t‘i jepet hapësira të bëjë punën në përputhje me dispozitat e ligjit dhe jo politikën. Ne, tha ambasadori, u ballafaquam me akuza serioze nga një anëtar i kongresit dhe punuam shumë për të paraqitur faktet tona rreth aludimeve të rreme. "Departamenti i drejtësisë na shpalli të gjithëve të pafajshëm dhe ky zhvillim e riforcon bindjen time të thellë dhe absolute te një sistem gjyqësor i forcuar dhe i pavarur, ku prokurorët lejohen të hetojnë kudo që i çojnë provat. Kjo është me rëndësi thelbësore që të shkojmë tek e vërteta", nënvizoi Withers. Në vlerësimin e tij hyrja e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në NATO, duhet të largojë fraza të tilla si "ballkanizimi". Withers sqaroi se hyrja në NATO nuk është e barasvlershme me vendosjen e bazave ushtarake në atë vend. Sa i takon meritës së anëtarësimit, Withers tha se ajo nuk erdhi si rrjedhojë e tekës së Amerikës, apo ndonjë partneri tjetër. "Kjo bëhet pas rënies dakord të të gjithë aleatëve. Secili duhet të shprehte miratimin dhe pa një zhvillim të tillë, hyrja ishte e pamundur. Nuk mund ta arrinim këtë gjë vetëm. Për shembull, kemi rastin e Maqedonisë dhe Greqisë, ku u pengua anëtarësimi", theksoi ai. Kontribuues për hyrjen në NATO, insistoi Withers, kanë qenë vetë shqiptarët me sakrificat e tyre që kanë bërë. "Ka merita për të tërë, jo vetëm për klasën politike, por edhe për gjithë qytetarët e thjeshtë", u shpreh Withers.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›