E Diel, 1 Nëntor 2026

Portreti i një populli, në foto

Në vijim të aktiviteteve kulturore, që po zhvillohen në kryeqytet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar është hapur një ekspozitë me fotografi nga mjeshtrat shqiptarë të fotografisë Pjeter Marubi dhe Kolë Idromeno. Portrete burrash dhe grash shkodrane, zadrimore,

dukagjinase, peizazhe të jetës qytetare dhe fshatare të veriut të Shqipërisë, fotografi nga shpallja e Pavarësisë, janë realizuar nga Marubi dhe Idromeno nga viti 1888 deri më 1913. Ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri më 9 maj e quajtur "Portreti i një populli", prezanton 26 fotografi krejt origjinale. Ekspozita është e ndarë në tri seksione: "Grupe dhe Familje", "Gratë" dhe "Burrat". Në të parin Marubi dhe Idromeno kanë fiksuar familje të veriut të Shqipërisë, Shalës, Mirditës, Zadrimës, Shllakut, Dukagjinit në vitet 1888-1900. Të Marubit janë "Fshatarët e Mirditës" (1888), kurse Idromeno në këtë seksion prezantohet me "Fshatarët Katolikë të Zadrimës" (1890) dhe "Malësorët e Dukagjinit". Seksioni i dytë, me 6 fotografi, "Pasazhe dhe skena të jetës sociale" i referohet jetës së malësorëve, punëve dhe zanateve të tyre, po aq edhe gëzimeve e tyre. I takon Idromenos të tregojë më tepër me artin e tij për Shkodrën. Këndi që i është kushtuar grave dhe vajzave malësore, të mban më gjatë përpara fotografive. Nga Idromeno një fshatare në festën e luleve, një katolike duke dalë nga shtëpia, dhe një kurtizane, parë nga Marubi, përbëjnë seksionin "Gratë".Fotografitë e Marubit, i pari që solli artin e fotografisë në Shqipëri, dhe nxënësi i tij Idromeno, janë marrë nga arkivi i Institutit të Kulturës Popullore Tiranë. Janë pjesë e projektit "Bujaria e Shqiponjave" të programit "Interreg III", që mori përsipër restaurimin dhe stampimin të Fotetekës "Marubi". Restaurimi i fotografive dhe shtypja janë kuruar nga fotografi Gino Bleve.

Last Updated on E Merkure, 28 Prill 2010 21:01

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›